![Presidentja Osmani në Washington: Ne iu lutëm Zotit të na shpëtonte. Dhe Zoti na dërgoi Amerikën](https://gazetaprojekti.com/wp-content/uploads/2025/02/IMG_0054.jpeg)
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka vlerësuar lart rolin e Shteteve të Bashkuara në shpëtimin e popullit të Kosovës.
Osmani ka mbajtur një fjalim para mijëra pjesëmarrësve në Lutjet e Mëngjesit, një ngjarje e organizuar nga Kongresi amerikan në Washington, duke theksuar rolin e besimit në udhëtimin e Kosovës drejt lirisë.
“Ne iu lutëm Zotit për një mrekulli. Ne iu lutëm Zotit të na shpëtonte. Dhe Zoti na dërgoi Amerikën.”, tha ajo.
Ajo shprehi mirënjohjen e popullit të Kosovës ndaj SHBA-së.
“Jam këtu në emër të një kombi mirënjohës, Republikës së Kosovës. Kam nderin të përfaqësoj një popull, udhëtimi i të cilit drejt lirisë dhe paqes është udhëhequr gjithmonë nga besimi”, deklaroi Osmani.
Osmani u shpreh se fëmijëria e saj nuk ishte e zakonshme për një politikan, pasi ajo u rrit si një fëmijë lufte në një vend të shkatërruar nga një regjim i verbuar nga urrejtja.
“Netët e fëmijërisë sime nuk ishin të mbushura me përralla para gjumit, por me jehonën e vazhdueshme të luftës”.
Presidentja kujtoi fjalët e prindërve të saj në momentet më të vështira: “Kemi besim. Kemi besim. Sepse Zoti është streha dhe forca jonë”.
Ajo tha se edhe kur u bënë viktima të një regjimi gjenocidal, besimi nuk i braktisi kurrë.
Osmani falënderoi burrat dhe gratë e që shërbyen në ushtrinë e SHBA-së, të cilët, së bashku me çlirimtarët dhe aleatët ndërkombëtarë, shpëtuan jetën e popullit të Kosovës.
Osmani tha se Amerika udhëhoqi rrugën dhe bota demokratike e ndoqi në mbështetje të lirisë së Kosovës
Sipas saj edhe Presidenti Rugova, shpesh thoshte: “Ne kemi besuar tek Zoti dhe ky besim na ka mbajtur gjallë”. Fjalët e tij pasqyrojnë jo vetëm një besim personal, por një të vërtetë kombëtare – që kur përballeshim me shtypjen, besimi ynë në Zot, në liri e drejtësi dhe në kauzën tonë na çoi përpara.