
Është inauguruar sot Këshilli për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, i themeluar nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Shkruan Gazeta Projekti.
Përmes themelimit të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pjesëmarrës në këtë inaugurim, tha se Kosova do të ketë mundësi për të dëshmuar përpara të gjithë botës, përmbushjen e zotimeve të veta në këto fusha.
Lajmi i plotë nga presidentja Osmani:
Kosova sot ndërmori një hap të rëndësishëm për jetësimin e zotimeve në kuadër të Samitit për Demokraci 🇽🇰 🇺🇸
Sot kam inauguruar Këshillin për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, mekanizëm përgjegjës për koordinimin dhe garantimin e mbarëvajtjes së punës së të gjitha institucioneve tona, të cilat janë drejtpërdrejt përgjegjëse për përmbushjen e zotimeve të prezantuara në Samitin për Demokraci.
Përkushtimi i institucioneve tona kyçe në këtë drejtim, përfshirë shoqërinë civile, është dëshmi e seriozitetit të Republikës së Kosovës në përmbushjen e zotimeve të dhëna në këtë samit të President Joe Biden, e që ndërlidhen me luftimin e korrupsionit, mbrojtjen nga autoritarizmi dhe avancimin e të drejtave të njeriut.