970×90
970×90
970×90
970×90

Presidenti: prill na bashkon për të kujtuar çmimin e lartë të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës

Presidenti: prill na bashkon për të kujtuar çmimin e lartë të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë nderime te Memoriali për të Pagjeturit për Ditën e të Pagjeturve të Kosovës.

Presidenti Thaçi ka thënë se çdo 27 prill na bashkon për të kujtuar gjithmonë çmimin e lartë të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

“Që disa ditë Kosova po shënon Javën e Personave të Pagjetur. Nderojmë dhimbjen e familjeve të tyre, të familjarëve pranë të cilëve do të jemi gjithmonë. Edhe 19 vjet pas luftës, e dimë që çdo ditë shumë familje jetojnë me dhimbje shpirtërore. Humbja e më të dashurve për shumë familje është edhe më e madhe për faktin që ende nuk dihet ku gjinden trupat e tyre. Familjet e personave të zhdukur meritojnë të dinë të vërtetën”, u shpreh presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë se institucionet tona dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjnë maksimumin që të ndriçohet ky aspekt i ndjeshëm etik dhe njerëzor.

“Zbardhja e të kaluarës tragjike dhe dalja para drejtësisë e autorëve të krimit forcon ndërgjegjen njerëzore dhe rritë paqen në vend dhe rajon. Autorët e krimeve, masakrave, dëbimit, zhdukjes dhe formave tjera të vrasjeve sistematike të qytetarëve tanë duhet të vihen para drejtësisë. Autoritetet e Beogradit duhet të përgjigjen dhe të ofrojnë të dhëna edhe për 1650 personat që vazhdojnë të jenë të evidentuar si të zhdukur gjatë luftës. Andaj, edhe sot, nga këtu, ne thërrasim ndërgjegjen e autoriteteve serbe dhe presim nga faktorët ndërkombëtarë të ushtrojnë trysni te këto autoritete për të ofruar të dhëna për qytetarët tanë të zhdukur gjatë luftës”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka theksuar se çështja e personave të zhdukur duhet të shtrohet në nivelet më të larta, edhe në Bruksel, si një temë që nuk pret më.

Në këtë ditë dhembjeje, presidenti Thaçi ka shprehur falënderim për të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë dhe ka vlerësuar lartë punën e Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur.

“Falënderoj shoqatat e familjarëve të personave të pagjetur dhe iu garantoj se do ta keni mbështetjen time maksimale. Nuk do të reshtin përpjekjet tona që kjo çështje, kjo plagë e rëndë e luftës të mbyllet sa më parë, për të hapur mundësi të reja dhe për të gjetur paqen dhe pajtimin”, shtoi ai.

Presidenti Thaçi shtoi se familjet e personave të pagjetur dhe të të gjitha viktimave të luftës, pa dallime etnike, meritojnë respektin më të madh dhe të përjetshëm institucional. /

Related posts