Në Bërdo afër Kranjës në Slloveni do të mbahet samiti i Procesit të Brdo-Brionit, ku do të diskutohet për situatën në Ballkanin Perëndimor.
Në samit në mesin e homologëve nga rajoni e pranishme do të jetë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ajo sot është takuar me presidentin malazez, Milo Gjukanoviq, me ç’rast ky i fundit ka thënë se e përkrah Kosovën në rrugën e saj evropiane, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani në margjinat e Samtit Brdo-Brione, në Slloveni.
Siç është paralajmëruar më parë, së bashku me nikoqirin e takimit, presidentin slloven Borut Pahor , pjesë e këtij samiti janë edhe presidentët e Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë, Zoran Milanoviq, Milo Gjukanoviq, Stevo Pendarovski dhe Bajram Begaj, anëtarë të Presidencës së Bosnjës, Shefik Xhaferoviq, Milorad Dodik, dhe Zheljko Komshiq dhe kreu i shtetit serb, Aleksandar Vuçiq.
Kabineti i Pahorit njoftoi në fillim të shtatorit, kur presidenti slloven ishte për vizitë në Kosovë dhe Serbi, se samiti i Procesit të Brdo-Brionit do të jetë një mundësi për të shqyrtuar situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor dhe për t’u bërë thirrje anëtarëve dhe institucioneve të Bashkimi Evropian për të përshpejtuar procesin e zgjerimit.
Procesi Brdo-Brioni është një nismë slloveno-kroate e nisur në vitin 2010 nga Pahor, në atë kohë kryeministër slloven, me qëllim forcimin e besimit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit rajonal dhe integrimin më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në BE.
E para e shtetit të Kosovës, ka arritur të dielën në Slloveni ku është pritur nga homologu slloven, Borut Pahor.