Presidenca, të shtunën, nëpërmjet një komunikate për media, ka mohuar në mënyrë kategorike pretendimet se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe zotëriu i parë, Prindon Sadriu, ka qenë në dijeni për motivet e rastit që quan deri në vrasjen e 89 vjeçarit (Sadri Sadriu që pretendohet të jetë axha i Prindon Sadriut) nga një zyrtar policor (Festim Ramadani që pretendohet të jetë familjar i të ndjerit).
“E gjithë kjo është shpifje me qëllim të implikimit të Presidentes në situata për të cilat as nuk ka njohuri e as lidhje”, ka thënë për Albanian Post Këshilltari për Media e Presidencës, Bekim Kupina.
Mediumi, Nacionale.com, duke u thirrur në burime, raportoi të shtunën se ‘motivi i vrasjes’ në Komunën e Ferizajit ishte ‘dhunimi i dy motrave të dorasit, Festim Ramadanit, nga ana e viktimës, Sadri Sadriu, kur ato ishin të mitura’.
Për rastin në fjalë, sipas burimeve të Nacionale.com, ishte i informuar edhe Prindon Sadriu, por edhe vetë Vjosa Osmani. Një gjë të tillë, Nacionale.com, ka tentuar të faktojë me disa fotografi, përmes të cilave pretendohet se Prindon Sadriu e Vjosa Osmani, ishin pjesë e një grupi të komunikimit në platformën sociale, Facebook, ku familja Ramadani kishte rrëfyer gjitha pretendimet e tyre për viktimën Sadri Sadriu.
Megjithatë sipas Kupinës, si Osmani ashtu edhe bashkëshorti i saj “nuk përdorin asnjë grup komunikimi në asnjë rrjet social”.
“Kjo është tërësisht e pavërtetë dhe tendencioze”, ka shtuar ai.
Kjo tendencë, sipas Kupinë është me qëllim të qartë “denigrimi dhe rrezikimi të jetës së Presidentes dhe familjes së saj të ngushtë”.
“Presidentja do t’i kundërshtoj me çdo mjet ligjor këto tendenca dhe tashmë ka kërkuar nga institucionet e sigurisë që ta trajtojnë këtë me urgjencë. Tendenca për të ndërlidhur rastin e mbrëmshëm me Presidenten dhe familjen e saj të ngushtë e shndërron atë në një objektiv, duke vënë në rrezik jetën e tyre. Kjo nuk ka të bëj me standard profesional të raportimit në media. Presidentja është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në mënyrë që ky plan i qartë për rrezikimin e jetës së saj e të familjes të trajtohet me prioritet”, ka paralajmëruar ai.
Sadri Sadriu mbeti i vrarë të premten në fshatin Bibaj të Ferizajt, pasi zyrtari policor, Festim Ramadani, gjuajti me armë zjarri në drejtim të tij, në oborrin e një salle dasmash.