Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Kadri Veseli, ka takuar përfaqësuesit e pensionistëve të Kosovës, të cilëve iu ka treguar se do ua rris pensionet për 80 për qind.
Si kryeministër, Veseli ka premtuar se do t’i mbulojë tërësisht edhe kostot e barnave specifike për të gjithë të sëmurit kronikë, që janë mbi moshën 65 vjeçare dhe do ta njoh e promovoj profesionin e “kujdestarit për të moshuar” në mandatin e tij qeverisës.
“Është përgjegjësi morale që të tregojmë mirënjohje ndaj të moshuarve për kontributin e dhënë dhe të kujdesemi që ata të kenë pleqëri sa më të rehatshme. Ne e kemi inkurajuar gjithmonë solidaritetin mes gjeneratave dhe shtetit do t’i japim rol shumë më aktiv për t’u kujdesur për të gjithë të moshuarit.
Para përfaqësuesve të pensionistëve, si kryeministër i ardhshëm u zotova se do t’i rris pensionet e tyre deri në 80 për qind. Po ashtu, të gjithë pensionistët kontributdhënës me përvojë pune nën 15 vjeçare, që aktualisht janë në skemën e pensioneve themelore, do të kalojnë në kategorinë e pensionistëve kontributdhënës. Ata do të marrin pensione me rritje, sipas përqindjes së përshkallëzuar, bazuar në kohëzgjatjen e viteve të punës dhe në kriteret e strukturës kualifikuese.
Për ta rritur kujdesin ndaj të moshuarve, unë do ta njoh dhe do ta promovoj edhe profesionin e “kujdestarit për të moshuar” dhe qeveria ime do t’i mbulojë tërësisht edhe kostot e barnave specifike për të gjithë të sëmurit kronikë, që janë mbi moshën 65 vjeçare.
Të gjithë pensionistët i siguroj se nipat dhe mbesat e tyre më nuk do të largohen, por do të qëndrojnë në Kosovë”, ka shkruar Veseli.
FOTO: https://www.facebook.com/214842955357585/posts/1368455259996343/?sfnsn=mo