![Policia jep detaje: Agim Ademi dyshohet se keqpërdori buxhetin e FFK-së](https://gazetaprojekti.com/wp-content/uploads/2023/03/88FFD4DB-3B40-40F7-A23D-421CB11FBA67.jpeg)
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili është dërguar në mbajtje për 48 orë, dyshohet se ka kryer veprat penale “keqpërdorim i besimit” dhe “shmangie nga tatimi” duke ke keqpërdorur buxhetin e FFK-së.
Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh, ka njoftuar se i njëjti po hetohet për këto dy vepra penale, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“KEQPËRDORIM I BESIMIT & SHMANGIE NGA TATIMI
Prishtine 22.03.2023 – 14:20. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprat e cekura duke keqpërdorur buxhetin e FFK-së. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje. Rasti në process hetimor”, thuhet në njoftimin e policise.
Pasi ishte intervistuar gjatë ditës së djeshme dhe i ishte caktuar masa e ndalimit, Kreu i FFK-së kishte pretenduar se ka probleme shëndetësore, ku më pas është dërguar me autoambulancë në QKUK.
Ditë më parë Ademi është shpallur i pafajshëm për një aktakuzë të ngritur ndaj tij në vitin 2012, për të cilën fillimisht ishte dënuar në dy shkallë të gjyqësorit me 9 muaj burgim efektiv, por që pastaj Supremja e kishte quar në rigjykim rastin e tij dhe në fund u shpall i pafajshëm nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
Pikërisht tash e një vit më parë Ademi ishte arrestuar edhe njëherë nga Policia nën dyshimin për kryerje të sulmit fizik ndaj një punëtori të FFK-së.