970×90
970×90
970×90
970×90

Plani gjermano-francez për raportet Kosovë-Serbi temë sot në Berlin, Kurti pritet t’ua prezantojë qëndrimin e tij Scholzit dhe Macronit

Plani gjermano-francez për raportet Kosovë-Serbi temë sot në Berlin, Kurti pritet t’ua prezantojë qëndrimin e tij Scholzit dhe Macronit

Në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që mbahet sot, më 3 nëntor, pritet të diskutohet edhe plani gjermano-francez, për marrëveshjen gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi.

Këtë e konfirmoi dy ditë më parë zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi. Bislimi tha se Kryeministri Albin Kurti do të jetë në Berlin, ku do ta ketë mundësinë që në detaje të informojë Kancelarin e Gjermanisë dhe Presidentin e Francës, për qëndrimin e palës kosovare për këtë propozim.

“Ditën e enjte, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të jetë në Berlin, ku do të nënshkruhen tri marrëveshje të rëndësishme në Procesin e Berlinit. Mendoj që aty do ta ketë mundësinë që pastaj në detaje ta informojë kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron, i cili pritet të jetë në Berlin, për atë se cili është qëndrimi i palës kosovare për këtë propozim”, tha Bislimi në intervistë për Radion ‘Evropa e Lirë’.

Ai u shpreh se plani është një ide që raportet Kosovë-Serbi të zgjidhen në dy faza, ku një pjesë e madhe e kontesteve do të zgjidheshin tani.

Edhe Deutche Welle raportoi se në samitin e Procesit të Berlinit. Franca dhe Gjermania pritet të shtojnë presionin diplomatik mbi Kosovën e Serbinë për propozimin e tyre për normalizim të marrëdhënieve.

Sipas raportimit të DW, në adresë të Kosovës dhe Serbisë priten të dëgjohen mesazhe të qarta.

Gjermania dhe Franca aktualisht po bëjnë presion diplomatik që dy vendet të pajtohen me propozimin e tyre për normalizimin e marrëdhënieve. “Sot nuk ka më vend për konflikte të tilla, me potencial shpërthyes, siç është ai midis Kosovës dhe Serbisë”, tha zyrtari për DW.

Sipas tij, këto janë pritshmëritë e qarta edhe të presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz. “Status quoja është e papranueshme. Nuk mund të vazhdohet kështu që statusi të kthehet në ‘mollë sherri’ për çdo çështje”. Sipas tij, kjo është arsyeja edhe se përse Gjermania dhe Franca kanë dalë me një plan konkret për dialogun. Sipas presidentit të Serbisë, Vuçiq, ai parashikon që Serbia, pa pasur nevojë të njohë shtetësinë e Kosovës të hapë rrugë për anëtarësimin e Kosovës në institucione ndërkombëtare, sidomos OKB, dhe në këmbim të marrë përfitime ekonomike dhe një anëtarësim më të shpejtë në BE.

Por, në organizim nuk do të marrë pjesë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ngjarja nis në ora 09:15, ku kancelari gjerman, Olaf Scholz do të mbajë një fjalim para liderëve.

Në kuadër të këtij procesi, nga ekzekutivi kosovar kanë thënë se gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor janë pajtuar për nënshkrimin e ujdive për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, të diplomave universitare dhe të kualifikimeve profesionale.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka deklaruar se pas hyrjes në fuqi të këtyre marrëveshjeve, fillon edhe konkretisht zbatimi i tregut të përbashkët rajonal, i cili do të bëjë heqjen graduale të kufizimeve dhe barrierave mes mbi 17 milionë banorëve të Ballkanit Perëndimor.

Dinamizmin e Procesit të Berlinit e mbështesin edhe opozita dhe shoqëria civile në Kosovë. /Reporteri.net

Related posts