Një përleshje fizike që dyshohet se eskaloi në përdorim të armës mëngjesin e sotëm, te Gizzi Grill në Veternik, ku la të plagosur disa persona.
Tre persona janë qëlluar me armë zjarri dhe të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.
Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një burrë dhe dy vajza.
Viktimat po marrin trajtim mjekësor ndërkohë që në vendin e ngjarjes janë kryer ekzaminimet e nevojshme.
Në lidhje me rastin janë lajmëruar edhe nga prokuroria.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj tha për Telegrafin se prokuroria tashmë ka nisur hetimet mbi rastin.
“Referuar pyetjeve tuaja, lidhur me rastin e ndodhur sot, në lagjen “Veterniku” në Prishtinë, ju njoftojmë se pas pranimit të informatë nga policia, prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda i kësaj Prokurorie, ka autorizuar të njëjtit t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, të cilat do t’i ndriçojnë rrethanat e rastit”, theksoi ajo.
Tutje, Ulaj shtoi se “nga hetimet preliminare dyshohet se pas një mosmarrëveshje mes disa personash, ka pasur të shtëna me armë zjarri dhe nga kjo ngjarje kanë mbetur të lënduar tre persona, me ç’ rast janë dërguar në QKUK për ta marrë ndihmën e nevojshme mjekësore”.
“Në këtë fazë nuk mund të japim informata të tjera, për shkak se janë duke u kryer hetime karshi këtij rasti”, potencoi Ulaj.