Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë së Gjakovës me autorizim të Prokurorisë Themelore në Gjakovë ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve që mund të kenë informacion për vendndodhjen e 32-vjeçarit, Shkelzen Ahmeti.
I njëjti po dyshohet se të shtunën e 9 marsit kishte plagosur tre persona në një lokal në Gjakovë.
Ahmeti dyshohet për veprat “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armëve”.
Shkelzen Ahmeti përgjatë viteve 2016-2017 ishte vënë në pranga nga Policia e Kosovës. Kjo, pasi që në cilësinë e zyrtarit të Gjendjes Civile në Gjakovë bashkë me një ish-zyrtar tjetër kishte tjetërsuar identitetin e një personi.
Për falsifikim të dokumenteve, Gjykata Themelore në Gjakovë e dënoi Ahmetin më 2020-ën me 6 muaj burgim, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit u zëvendësua me gjobë në shumë prej 4 mijë euro.