
Një person ka mbetur i plagosur pas të shtënave me armë zjarri që kanë ndodhur mbrëmjen e së martës në lagjen Emshir të Prishtinës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00 në rrugën “Rexhep Krasniqi”, ndërsa i plagosuri është jashtë rrezikut për jetë dhe po merr trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
“Rreth orës 21:00 është raportuar për të shtëna me armë zjarri në rrugën ‘Rexhep Krasniqi’ në Prishtinë. Nga informacionet e para bëhet e ditur për një person të plagosur, jashtë rrezikut për jetë, i cili po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor në QKUK,” tha Borovci.
Ai gjithashtu theksoi se policia ka arritur ta identifikojë një person të dyshuar në lidhje me këtë rast.
“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, ka identifikuar një person të dyshuar, si të implikuar në rastin në fjalë, përderisa po vijon punën hetimore me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje,” shtoi Borovci.