
Pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare në Junik mbetet e ulët, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Për këtë arsye, kryetari i Komunës, Shehu ka bërë një thirrje publike për qytetarë që të dalin në votime para se vendvotimet të mbyllen, shkruan Gazeta Projekti.
Pasi kreu votën e tij, Shehu e cilësoi këtë akt si një detyrim kushtetues dhe patriotik, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje për të ardhmen e qytetarëve dhe komunës.
“Sipas të dhënave nga KQZ, pjesëmarrja e junikasve në këto zgjedhje nuk është e kënaqshme. Prandaj, ju bëj thirrje të gjithë banorëve me të drejtë vote në Junik që të dalin dhe të votojnë,” u shpreh ai.
Duke iu drejtuar qytetarëve, Shehu theksoi se vetëm 4 minuta të kohës së tyre sot mund të ndikojnë në 4 vitet e ardhshme, duke apeluar për një pjesëmarrje më të lartë para orës 19:00, kur edhe do të mbyllen qendrat e votimit, përcjell “Gazeta Projekti”.
“Votoni, votoni, votoni!” përfundoi ai, duke inkurajuar qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike.
Ndërkohë, procesi i votimit po vijon qetësisht, pa incidente të raportuara deri më tani. Pritet që në orët në vijim të ketë një pasqyrim më të qartë të pjesëmarrjes dhe rezultateve paraprake.