
Për vite me radhë, Arben Bytyqi jeton me një brengë se pse nuk iku më herët nga Kosova. Ndonëse Bytyqi e kishte mundësinë të largohej nga vendi në vitin 2016, i riu nga Suhareka nuk e bëri.
E për këtë vendim, ai i tregon Nacionales se është penduar shumë.
‘‘Pata mundësi me dalë atëherë po nuk pata gatishmëri, isha i ri e jo i matur, edhe e pata njëfarë frike. Po, jam shumë pishman që s’kam shku”, thotë me zë të pendesës Bytyqi.
Historia e të riut suharekas është e ngjashme me mijëra histori të tjera të kosovarëve që ëndërrojnë të mos jetojnë më në Kosovë.
Pamundësia e punësimit si mësimdhënës gjeografie, ëndërra e Bytyqit, e ka zhgënjyer edhe më shumë 29 vjeçin.
Tashmë ai është i bindur se nuk mund të jetohet në Kosovë.
Që 6 vjet, Bytyqi është fokusuar në idenë për emigrimin në Gjermani, ‘toka e shpresës’ për shumë kosovar.
‘‘Kam pasë edhe shumë oferta me dalë n’t’zezën, por nuk kam dashtë ashtu”, deklaron Bytyqi.
Në vitin 2019, një i afërm i Bytyqit që jeton në Gjermani i dërgoi një garancion pune që është kërkesë e domosdoshme për të marrë udhën drejt shtetit gjerman.
Por, për shkak të pandemisë, i njëjti ende nuk është aprovuar nga Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë.
E punët për ikjen nga Kosova, i janë komplikuar edhe më shumë të riut kosovar.
Me hyrjen në fuqi në Gjermani të një rregulloreje të re për Ballkanin Perëndimor, Bytyçi duhet të riaplikojë prej fillimit për vizën që po e pret që tri vjet.
Ndonëse natyrshëm paksa i demotivuar, Bytyqi thotë se burokracitë nuk e zmbrapsin nga përpjekja e vazhdueshme për t’u larguar nga Kosova.
‘‘Edhe pse rregullat e reja m’i kanë ulur dukshëm shpresat e po e konsideroj veten të pafat, unë gjithsesi do ta provoj’’, thotë 29 vjeçi suharekas, komunë kjo e cila ndër vite ka qenë e para në listë për nga numri i personave të emigruar.
Që nga fillimi i dhjetorit e deri në fund të marsit, ambasada e këtij shteti në Prishtinë ka pranuar 199 mijë e 783 kërkesa për viza.
Vetëm brenda marsit, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka pranuar 48 mijë e 44 kërkesa për viza, ndonëse ofron vetëm 500 deri në 800 termine në muaj.
Kujtojmë që dy ditë më parë është rihapur mundësia për të aplikuar për terminet e reja për viza të Gjermanisë.
Një gjë të tillë, Ambasada e shtetit gjerman në Kosovë e bën në secilin fillim muaji, teksa rëndom aplikojnë rreth 50 mijë qytetarë që synojnë ikjen nga vendi.
Për shkak se Kosova ende nuk ka liberalizim të vizave, aplikantët që kërkojnë të pajisen me vizë i nënshtrohen një procedure të komplikuar të cilën e kërkojnë ambasadat e huaja.
E vullnet për ta lëshuar Kosovën, sipas një ankete të fundit të Grupit për Studime Juridike dhe Politike kanë 48.4 për qind e qytetarëve të Kosovës.
Situata me COVID-19 e ka rritur ndieshëm gatishmërinë e qytetarëve për të emigruar, theksohet në hulumtimin e opinionit publik nga GSJP.
Kurse referuar statistikave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në periudhën 2015-2019 Kosovën e kanë lëshuar më shumë se 170 mijë qytetarë.
Sipas kësaj Agjencie, vetëm në vitin 2019 në mënyrë legale dhe ilegale nga Kosova kanë migruar 34 mijë e 911 kosovarë.