970×90
970×90
970×90
970×90

Pezullohen fluturimet në dy aeroporte në Gjermani

Pezullohen fluturimet në dy aeroporte në Gjermani

Fluturimet në dy aeroporte të Gjermanisë u pezulluan përkohësisht të enjten në mëngjes, pasi aktivistët për mbrojtjen e klimës hynë në pistat e tyre si pjesë e një proteste më të madhe në shënjestër të së cilës janë katër aeroporte në pjesë të ndryshme të vendit.

Grupi “Gjenerata e Fundit” tha në një deklaratë se aktivistët e tij e kishin ndërprerë ose zvogëluar qarkullimin e aeroplanëve në aeroportet e Berlinit, Nurembergut, Shtutgartit dhe Këln-Bonnit dhe publikoi fotografi të aktivistëve me duart e tyre të ngjitura me ngjitës për asfalti të pistave, raporton agjencia “Reuters”.

Aeroporti në Nuremberg tha në uebfaqen e vet se fluturimet ishin pezulluar deri në një njoftim të ardhshëm nga ora 3 e 42 minuta e mëngjesit dhe paralajmëroi se pasagjerët do të ballafaqoheshin me vonesa, ndërsa aeroporti në Këln-Bonn tha në rrjetin X se fluturimet tani për tani ishin pezulluar, përderisa policia po merrej me “persona të paautorizuar”.

Policia ishte në vend të ngjarjes edhe në aeroportin e Berlinit dhe arriti që t’i largonte nga pista dy protestuesit, të cilët kishin hyrë në pistë duke e prerë rrethojën e saj, ndërsa fluturimet nuk u prekën nga ky aktivitet, tha një zëdhënës i policisë.

Një zëdhënës i aeroportit të Shtutgartit nuk qe menjëherë i qasshëm për koment.

Grupi që i organizoi protestat ka përfshirë në listë disa shtete në Evropë dhe në Amerikë të Veriut, ku ka thënë se pengesa të tilla janë të planifikuara si pjesë e një fushate protestuese me të cilën i bëhet thirrje Qeverisë së Gjermanisë për të zbatuar një marrëveshje globale për largim nga shfrytëzimi i karburanteve, gazit dhe thëngjillit deri në vitin 2030.

Politikanët gjermanë kanë kërkuar mbrojtje më të mirë për aeroportet e vendit, pasi aktivistët për mbrojtjen e klimës kishin arritur që t’i kalonin rrethojat e ta pengonin trafikun ajror, përfshirë aeroportin më të ngarkuar në Gjermani, atë të Frankfurtit, për dy ditë rresht muajin e kaluar./Nacionale

Related posts