
Takimet dhe udhëtimet e EUSR-së janë pjesë përbërëse e punës së tij të përditshme”- kështu ka deklaruar për Gazeta Projekti, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.
Ani pse nuk është konfirmuar zyrtarisht, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak pritet të vizitojë Kosovën dhe Serbinë, në fillim të muajt shkurt, në kuadër të përpjekjeve për të organizuar takime të reja të dialogut.
Tash e një kohë të gjatë nuk ka pasur takime në kuadër të dialogut, kjo pasi, palët nuk kanë shprehur vullnet për të arritur ndonjë rezultat.
Së fundmi, janë ngritur tensione në mes dy shteteve pasi Kosova nuk lejoi që të mbahet referendumi serb brenda territorit të saj.
Edhe zgjedhjet e ardhshme të 3 prillit në Serbi, kanë ngritur debat mes dy palëve.
Serbia kërkon që zgjedhjet të mbahen edhe në Kosovë, derisa ky i fundit refuzon një gjë të tillë.
Por, a lidhet vizita e Lajçak, me tensionet e ngritura mes dy palëve?
Një gjë të tillë nuk e ka pohuar e as mohuar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Stano për portalin online “Gazetën Projekti” tha se një gjë e tillë do të konfirmohet kur të jetë përshtatshme.
“Nëse EUSR shkon për të parë homologët në rajon, këshillimi për media zakonisht lëshohet nga Delegacioni përkatës i BE-së në terren kur është e përshtatshme”, ka deklaruar Stano.
Theksojmë se për referendumin serb kishin reaguar edhe ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe Bashkimi Evropian.
Ata i kërkonin Kosovës që të lejojë të mbahet referendumi serb brenda territorit të saj. Një gjë e tillë u kundërshtua nga krerët shtetërorë të Kosovës.
Pas mbledhjes me anëtarët e shteteve të QUNT-it dhe BE-së, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një deklaratë për media, tha se do të thërret seancë të jashtëzakonshme.
Senca u thirr për të shtunën më 15 janar në të cilën deputetët votuan pro rezolutës e cila mundësonte mosmbajtjen e referendumit të Serbisë të dielën, në komunat me shumicë serbe./Gazeta Projekti