Një biznesmen amerikan shkoi për pushime në një fshat të vogël bregdetar të Meksikës, me porosi të doktorit. Duke mos qenë në gjendje të binte në gjumë, pas një telefonate urgjente prej punës që në mëngjesin e parë, ai doli tek moli për të kthjelluar pak mendimet. Një varkë e vogël, me vetëm një peshkatar brenda sapo ishte ankoruar, dhe brenda saj kishte disa peshq ton. Amerikani e përgëzoi meksikanin për cilësinë e peshkut që kish zënë.
“Sa kohë t’u desh që t’i kapje?”, e pyeti ameirkani.
“Shumë pak”, u përgjigj meksikani, me një anglishte çuditërisht të mirë.
“Pse nuk rri më shumë në det dhe të kapësh më shumë peshq?”, e pyeti më pas amerikani.
“Kam mjaftueshëm për të mbajtur familjen, si dhe për t’ua shpërndarë disa miqve”, tha meksikani, teksa i shkarkonte në një kosh.
“Por… çfarë bën ti me pjesën tjetër të kohës, që ke?”
Meksikani ngriti kokën dhe buzëqeshi. “Fle vonë, dal pak për peshkim, luaj me fëmijët, shkoj në ndonjë festë me gruan time Julian, dhe dal në fshat çdo mbrëmje, ku pi verë dhe i bie kitarës me “amigo”-t e mi. Kam një ditë të plotësuar, senor”.
Amerikani qeshi dhe u drejtoi trupin. “Zotëri, unë kam një MBA në Harvard dhe mund të të ndihmoj. Duhet të kalosh më shumë kohë duke peshkuar, dhe me të ardhurat, të blesh një varkë më të madhe. Pa kaluar shumë kohë, mund të blesh disa varka me të ardhurat që do të të rriten. Kështu, shumë shpejt mund të kesh një flotë varkash peshkimi, të gjithën tënden”.
Ai vazhdoi: “Në vend t’ia shesësh peshkun që zë një ndërmjetësi, do ia shisje direkt konsumatorëve, duke hapur kështu dyqanin tënd. Kështu do të kontrolloje produktin, përpunimin dhe shpërndarjen. Do të të duhej të largoheshe nga ky fshat i vogël bregdetar, sigurisht, dhe të shkoje në Meksiko, më pas në Los ANgeles, dhe pastaj në Nju Jork, ku do të mund të drejtoje kompaninë tënde, me menaxhimin e duhur”.
Peshkatari meksikani e pyeti: “Zotëri, po sa kohë do të duhej?”
Amerikani iu përgjigj: “Maksimumi 15-20 vjet”.
“Po pastaj, senor?”
Amerikani qeshi dhe tha: “Kjo është pjesa më e bukur. Kur të vijë koha, do të dilje në bursë dhe do ia shisje aksionet e kompanisë publikut, e kështu do të bëheshe shumë i pasur. Do të fitoje miliona”.
“Miliona, senor? Po pastaj”.
“Pastaj do të tërhiqeshe dhe do të shkoje në një fshat të vogël bregdetar, ku do të flije vonë, do të peshkoje pak, do të luaje me fëmijët, do të shkoje në festa me bashkëshorten, dhe do të dilje në fshat mbrëmjeve, ku do të pije verë dhe i bije kitarës me “amigo”-t e tu…”.
“Senor, po unë këtë po bëj tani”, ia preu meksikani. / bota.al