970×90
970×90

Pesë të vdekur dhe tre të lënduar, tri aksidente me fatalitet dje në Kosovë

Pesë të vdekur dhe tre të lënduar, tri aksidente me fatalitet dje në Kosovë

Dy aksidente janë regjistruar në rrethinë të Prishtinës dje, e të cilat kanë përfunduar edhe në tragjedi. Aksidenti i tretë, po ashtu me fatalitet, është regjistruar në Pejë.

Siç ka konfirmuar për Reporteri.net, zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti, aksidenti i parë ka ndodhur në rrugën Llapsanellë-Graqanicë, ku për pasojë ka vdekur një person.

“Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, dy automjete, të cilat kanë qenë në lëvizje. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar dy persona, një prej tyre nuk kanë arritë të përballojnë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë”, ka njoftuar Ahmeti.

Me rastin po merret hetuesia nga njësiti i trafikut rrugor.

Ndërsa aksidenti tjetër ka ndodhur pas orës 20:00 të mbrëmjes dje, në Podujevë, ku nga përplasja e një veture kanë vdekur dy nga tre personat e lënduar.

“Sot rreth orës 20:30 në rrugën që lidhë fshatin Sfeqël me fshatin Shajkovc të Podujevës, ka ndodhur një aksident trafiku, ku është përfshirë një veturë. Dy nga personat e lënduar nuk kanë arrit të përballojnë plagët e shkaktuara nga aksidenti dhe të njëjtit kanë vdekur”.

Me hetimin për zbardhjen e shkaqeve të këtij vetaksidenti, tregoi zëdhënësja e Policisë, po merren hetuesit nga Njësiti i trafikut.

Aksidenti tjetër fatal është regjistruar në Pejë, pas orës 21:00 të mbrëmjes.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, ka thënë se një veturë ka përplasur tre këmbësorë, dy prej të cilëve kanë vdekur.

I aksidentuari i tretë aktualisht është duke u mjekuar në Spitalin e Pejës.

“Sonte rreth orës 21:30 policia është informuar për një aksident në fshatin Ozdrim të Pejës. Në këtë aksident ka qenë e involvuar një veturë dhe tre këmbësorë, ku si pasojë e këtij aksidenti dy nga këmbësorët kanë vdekur, vdekjen e së cilëve e ka konstatuar ekipi mjekësor dhe këmbësori i tretë është dërguar në spitalin e Pejës”, ka deklaruar Rugova.

Related posts