Ne trashëgojmë shumë veçori nga nëna, përfshi edhe ato që kanë të bëjnë me shëndetin, por kjo nuk është e gjitha. Nisur nga trashëgimia gjenetike, ne mund të bëjmë ndryshime në stilin tonë të jetesës dhe të parandalojmë një sërë sëmundjesh.
Në ç’moshë e ka kaluar menopauzën?Shumica e grave preken nga paramenopauza midis moshës 39 dhe 51 vjeçe, por duhet të kalojnë edhe rreth pesë vite të tjera që cikli menstrual të ndërpritet plotësisht. Ndërprerja e menstruacioneve është tregues i menopauzës. Një studim i kohëve të fundit tregon se një rol të rëndësishëm për të përcaktuar moshën e menopauzës, luan trashëgimia dhe rreth 50 për qind e shkaqeve që çojnë në menopauzë, lidhen me të.
Rreth 30-40% e grave që preken nga menopauza e hershme kanë në familje histori të menopauzave të hershme të nënave, motrave apo të kushërirave të tyre.
Ç’mund të bëj?
Grave me histori familjare të menopauzës së hershme, u këshillohet që të bëjnë analiza gjaku dhe eko në kohën e duhur, për të kontrolluar gjendjen e vezoreve. Nëse nëna ka kaluar një menopauzë të hershme, me gjasë edhe ju mund të kaloni një të tillë. Nëse ajo ka pasur afshe, djersitje gjatë natës dhe shqetësime gjatë gjumit, atëherë simptoma të tilla mund t’i përjetoni edhe ju. Ama, mund të bëni diçka që ta kaloni më lehtë, si: të ushtroheni rregullisht, të mbani një dietë të ekuilibruar sipas indeksit të glikemisë, të shmangni pirjen e duhanit dhe të minimizoni sasinë e alkoolit.
Nëse dyshohet për menopauzë të hershme, analizat e përvitshme do t’ju ndihmojnë për planifikimin familjar dhe gratë që duan të krijojnë familje, s’duhet ta vonojnë këtë. Për këto, një mundësi tjetër është edhe ngrirja e vezëve, por kjo nuk garanton një shtatzëni të suksesshme në të ardhmen.Vuan nga dhembjet e kokës apo migrena
Nëse nëna juaj shtrihet në krevat në një dhomë të errët për shkak të dhimbjeve të kokës, me gjasë ajo vuan nga migrena. Ajo është e trashëguar, por lidhet edhe me faktorët mjedisorë.
Ç’mund të bëj?
Nëse gjatë tre muajve të fundit keni vuajtur nga dhembjet e kokës, të cilat ju shkaktojnë të vjella ose ndjesinë e të vjellit, ju kanë bërë të ndjeshëm ndaj dritës ose kanë ndikuar në aftësinë tuaj për të kryer veprimtaritë e jetës së përditshme, ndoshta ju vuani nga migrena. Studimet e kohëve të fundit kanë identifikuar një defekt gjenetik që mendohet se është shkaku i migrenës.
Ky zbulim na jep shpresë për trajtimin e migrenës në të ardhmen, por, derisa të vijë ajo ditë, ju rekomandojmë të mbani ditar për dhembjet e kokës dhe të migrenës, me qëllim që të identifikoni shkaqet që shkaktojnë këtë sëmundje. Për të mësuar më shumë, drejtojuni mjekut specialist.
Është diagnostikuar me probleme të kujtesës?
Duhet të dimë se demenca është një term përmbledhës për një sërë sëmundjesh që prekin kujtesën dhe të menduarin, ku përfshihet edhe Alzhajmeri. Njihen dy lloje të alzhajmerit: Alzheimeri që prek njerëzit në moshë të hershme (përpara moshës gjashtëdhjetepesëvjeçare), gjë që ndodh shumë rrallë dhe është i lidhur me faktorë gjenetikë, dhe ai që i prek në moshë të vonë (zakonisht pas moshës gjashtëdhjetepesëvjeçare) dhe ka një model të trashëguar më kompleks e të paparashikueshëm.
Nëse nëna juaj vuan nga sëmundja e Alzheimerit, atëherë ju jeni dyfish më të rrezikuar për t’u prekur prej tij, por kjo s’do të thotë se kjo sëmundje është e pashmangshme.
Ç’mund të bëj?
Ende nuk është e përcaktuar përfundimisht se cilët janë faktorët kryesorë që shkaktojnë demencën, por dihet që ndikojnë edhe një sërë faktorësh që kanë të bëjnë me stilin e jetesës. Duhani është absolutisht i ndaluar, thonë mjekët. Tensioni i lartë i gjakut dhe kolesteroli rrisin rrezikun për demencë, sepse ndikojnë në shtimin e gjakut që shkon në tru. Edhe obeziteti lidhet me demencën, thonë mjekët, prandaj, që të ulni rrezikun, ndiqni një dietë të shëndetshme, me qëllim që të mos shtoni shumë në peshë dhe që tensioni i gjakut dhe kolesteroli të jenë në vlera normale.
Ka pësuar ndonjëherë frakturë?
Nëse nëna juaj ka pësuar frakturë për shkak të kockave të brishta, ky është një tregues se edhe ju mund të vuani në të ardhmen nga osteoporoza. Nëse ju jeni të prekur nga faktorët e rrezikut, si: histori familjare, menopauza përpara moshës 45-vjeçare, anoreksia, keni indeksin e masës trupore më të vogël se 19, konsumoni më shumë se,katër gota alkool në ditë, mund t’ju rekomandojnë të bëni një skaner për të parë densitetin e kockave.
Ç’mund të bëj?
Edhe nëse gjenetikisht jeni të prirë të vuani nga osteoporoza, mund ta parandaloni ose ta ngadalësoni hollimin e kockave. Për këtë, sigurohuni të merrni sasi të mëdha kalciumi – burime të mira për këtë janë: qumështi, djathi i fortë ose spinaqi – dhe vitaminë D, e cila përthithet edhe nga rrezet e diellit. Për të forcuar kockat, mund të ushtroheni duke mbajtur pesha apo duke bërë një vrap të lehtë. Gjithashtu, këshillohet të mos pini shumë alkool dhe të lini duhanin.
Nëse nuk mjaftojnë vetëm ndryshimet në stilin e jetesës, mjeku mund t’ju rekomandojë mjekimin për të parandaluar zvogëlimin e masës kockore.
A vuan ndonjë i afërm i juaj nga kanceri i gjirit?
Angelina Jolie, pasi humbi të ëmën nga kanceri i gjirit në moshën pesëdhjetegjashtëvjeçare, vendosi t’i nënshtrohej një masektomie të dyfishtë si masë parandaluese ndaj kancerit të gjirit. Organizata “Macmillan” në luftën kundër kancerit, thotë se 5-10% të rasteve me kancer vijnë si pasojë e trashëgimisë. Nëse nëna juaj vuan nga kanceri i gjirit, atëherë ju jeni dyfish e rrezikuar.
Ç’mund të bëj?
Nëse keni një histori familjare me kancer gjiri (nëse kanë vuajtur prej tij jo vetëm nëna juaj, por edhe motrat, tezet, gjyshet ose kushërirat, atëherë je e rrezikuar edhe më shumë), flisni me mjekun tuaj. Mjeku mund t’ju rekomandojë testimin gjenetik dhe, nëse zbulohet se rreziku është i lartë, mund t’ju rekomandojë analiza të tjera.
Stili i shëndetshëm i jetesës, dieta e shëndetshme dhe ushqyerja me gji mund të ulin rrezikun. Edhe ushtrimi i rregullt ka treguar se ka efekt mbrojtës.
Pema juaj familjare mjekësore
Të dish historikun mjekësor, nuk është gjithmonë kaq e thjeshtë. Nëse jeni të birësuar, keni jetuar larg prindërve ose nëse prindërit ju kanë vdekur, njohja e historikut mjekësor mund të jetë një sfidë më vete.
Testimi gjenetik mund të ndihmojë njerëzit që nuk kanë mundësi të njohin historikun mjekësor të familjes së tyre. Flisni me mjekun, nëse mendoni se duhet të bëni një testim gjenetik. /Telegrafi/