
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 11 korrik në një diskutim në Universitetin Johns Hopkins në Uashington tha se ka “informacione të besueshme” se presidenti amerikan, Donald Trump, ka parandaluar së voni mundësinë e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë.
E para e shtetit ka thënë se deklarimi i presidentit amerikan Donald Trump është i vërtetë dhe se SHBA e ka parandaluar. Osmani tha se bëhet fjalë për një zhvillim të kohëve të fundit.
Por, presidentes i ka reaguar emisari amerikan, Richard Grenell, i cili ka akuzuar Osmanin se ka manipuluar fjalët e presidentit Trump.
“Turp për Vjosa Osmanin që manipuloi fjalët e Presidentit Donald Trump. Donald Trump u nominua për Çmimin Nobel për Paqen për punën e tij në paqen dhe normalizimin ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë në vitet 2019 dhe 2020 – përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Washingtonit nga Trump në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë. Osmani nuk ishte pjesë e asaj marrëveshjeje. Dhe të pretendosh sikur kishte diçka të re është absurde”, shkroi Grenell në “X”.
Ndaj këtyre kritikave ka reaguar Presidenca, e cila ka paralajmëruar mbajtjen e një konference për media nga presidentja Vjosa Osmani, kur të kthehet në Kosovë.
“Sapo të kthehet në Kosovë Presidentja Osmani do të mbajë konferencë për media lidhur me këtë çështje”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Kujtojmë se Trump gjatë këtij mandati disa herë ka përmendur që “ka ndalur luftën Kosovë-Serbi”.
Ai ka përmendur Kosovën e Serbinë, edhe referuar marrëveshjes së Washingtonit të 4 shtatorit 2020.
Që nga koha kur rimori postin e presidentit, Kosovën e Serbinë e sheh si sukses diplomatik në “parandalimin e një konflikte”, siç thotë ai.
Trump së fundmi ka thënë se ka ndalur luftën në rajon duke kërcënuar me ndaljen e tregtisë.
“Kam arritur të zgjidh shumë prej këtyre situatave, si për shembull India dhe Pakistani, Kosova dhe Serbia. U thashë: a do të luftoni? Ne nuk do të tregtojmë. Dhe duket se kjo ka qenë mjaft e suksesshme dhe po shkon drejt fundit”, ka thënë Trump.