
Ushqimi që kishin ngrënë mbrëmë i ka bërë për spital dy fëmijë nga komuna e Junikut. Ata po dyshohet se janë helmuar nga sallami dhe janë dërguar me urgjencë për trajtim në Spitalin Rajonal të Gjakovës. Në këtë spital kanë treguar për Express se gjendja e fëmijëve është përmirësuar dhe se që të dy janë jashtë rrezikut për jetë.
Mbrëmja e të mërkurës i gjeti në Spital dy fëmijët e një prej familjeve të Junikut. Dy fëmijët e kësaj familje, njëri dy vjeçar e tjetri katër, janë helmuar pasi kishin ngrënë disa artikuj ushqimorë që i kishin blerë në një prej marketeve në këtë komunë.
Ata po dyshohet se janë helmuar nga sallami që kanë ngrënë, e që dyshohet të ketë qenë me afat të skaduar. Prej shtëpisë së tyre, ata janë dërguar në Spitalin Rajonal të Gjakovës për trajtim.
Drejtori i Spitalit, Ahmet Asllani i ka thënë Gazetës Express se gjendja e të dy fëmijëve është përmirësuar dhe se janë jashtë rrezikut për jetë. Asllani ka thënë se kanë marrë trajtim në këtë spital, dhe se po vazhdojnë të jenë të shtrirë në Infektivë.
Rasti është raportuar mbrëmë edhe në Polici. Një person ka raportuar se në një lokal-market, ka blerë disa artikuj ushqimorë nga të cilët dy fëmijët e vëllait të tij janë helmuar.
Rasti është iniciuar për “prodhim dhe vënie në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimorë”.
“Ankuesi mashkull K-Shqiptar ka raportuar se në një lokal-market, ka blerë disa artikuj ushqimorë nga të cilët dy fëmijët e vëllait të tij janë helmuar. Fëmijët janë dërguar në spitalin e Gjakovës dhe janë jashtë rrezikut për jetë ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore dhe inspektorët komunalë”, thuhet në raportin e Policisë. /Express