Për herë të parë, nesër do të takohen grupet punuese të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Që nga 10 tetori kur për herë të parë u takuan Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe Isa Mustafa, nuk ka pasur asnjë takim në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Në takimin e javës së kaluar, këto dy subjekte politike u pajtuan që të vazhdojnë bisedimet rreth arritjes së një koalicioni qeverisës.
Mirëpo, gjatë ditës së nesërme pritet që të takohen grupet punuese të Vetëvendosjes dhe LDK-së.
Ky takim është konfirmuar për lajmi.net nga zyra për medie e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Po, për nesër është paraparë një takim mes grupeve punuese dhe ky do të jetë takimi i parë”, kanë thënë për lajmi.net nga kjo zyrë.
Pavarësisht insistimit, kjo zyrë nuk ka dhënë detaje shtesë se në çfarë ore dhe ku do të zhvillohet ky takim.
Po ashtu, lajmi.net ka bërë përpjekje që të marrë përgjigje dhe detaje të këtij takimi edhe nga LDK-ja mirëpo, zyrtarë të këtij subjekti politik kanë qenë të paqasshëm.
Mirëpo pavarësisht se nga Vetëvendosje është konfirmuar ky takim, është vet Albulena Haxhiu, kandidate për deputete e këtij subjekti politik e cila ka thënë se është LDK-ja ajo e cila është duke u vonuar dhe nuk ka vullnet për bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje.
Në anën tjetër, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, gjatë ditës së sotme në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka shkruar se akoma nuk janë numëruar të gjitha votat dhe në këtë mënyrë sipas tij nuk mund të bëhet asgjë sa i përket koalicionit, shkruan lajmi.net.
Tutje Haziri ka thënë se pas përfundimit të numërimit të votave, do të mësohet fituese dhe atëherë siç u shpreh ai, cilido subjekt politik qoftë Vetëvendosje apo LDK që ka një votë më shumë, ai subjekt do ta udhëheq Qeverinë.
Ndryshe, në zgjedhjet parlamentare të cilat janë mbajtur më 6 tetor kanë votuar 812 mijë e 49 votues apo 44.18 për qind.
Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, partia e parë është Vetëvendosje me 25.50 %, pas saj radhitet Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.83 %, kurse Partia Demokratike e Kosovës radhitet e treta me 21.25%. Ndërsa koalicioni AAK-PSD në zgjedhjet e 6 tetorit ka marrë 11.57 për qind, si dhe koalicioni NISMA-AKR nuk ka kaluar pragun zgjedhor.