
Edhe pse zgjedhjet e reja konsiderohen opsion nga i pari i LDK’së, ato sot pas takimit të madh u përmendën me gjysmë zëri. Riformatimi i përgjithshëm i Qeverisë së Kosovës duket të jetë kushti i vetëm për pjesëmarrje në ekipin negociator, transmeton Gazeta Metro.
Deri tani Lidhje Demokratike e Kosovës (LDK) kishte dy kërkesa për t’iu mbështetur bisedimet. Ato ishin zgjedhjet dhe riformatimi i Qeverisë, por me kalimin e kohës dhe dinamikën e shpejt që Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE) po e parashohin për agjendën e bisedimeve në Bruksel, duket se parisë së LDK’së i ka mbetur vetëm një opsion si municion politik.
E kjo siç e tha i pari i LDK’së, Isa Mustafa, është rikonfigurimi i tërësishëm i institucioneve të vendit, transmeton Gazeta Metro.
“LDK e ka platformën dhe dokumentin bazë lidhur me dialogun. Orientimi ynë në atë dokument është se duhet të shkohet në zgjedhje në mënyrë që të fitohet legjitimiteti politik. Por, nëse nuk shkohet në zgjedhje, duhet të mendohet në rikonfigurim total të qeverisjes ose të institucioneve të tanishme të vendit”. ka thënë Mustafa.
Përndryshe kjo parti nuk sheh mundësi që të sigurojë përfaqësimin e domosdoshëm i cili do të mundësonte mbështetjen e cilësdo marrëveshje me Serbinë që do të vij nga Brukseli dhe Washingtoni./