
Parku i Shtëpisë së Pavarësisë është tashmë i kompletuar, ku fundi i punimeve për rikonstruksionin e zonës përreth shtëpisë ku u shpall edhe Shqipëria e pavarur në Vlorë, u kulmua me ndezjen e emrave të firmëtarëve të deklaratës më të rëndësishme në shtetformimin shqiptar.
Parku i rikonstruktuar tashmë, lidh pjesën e brendshme të qytetit me zonën e njohur si “Lungomare” dhe do të jetë një atraksion i shtuar për qytetin bregdetar të Vlorës, duke ndihmuar edhe në një aspekt turistik 365 ditët e vitit dhe jo thjesht gjatë muajve të verës.
Një ndalesë për të parë veprën, e bëri edhe kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili ka qenë promotor kryesor i zhvillimit rrënjësor të kësaj zone.
“Këtu kemi firmëtarët e pavarësisë të kthyer në xixëllonja, që shkëlqejnë çdo mbrëmje dhe që janë të pranishëm në çdo mëngjes e gjatë gjithë ditës patjetër”, nënvizoi ai gjatë një fjale të rastit në mjediset e parkut.
Më tej, kreu i Qeverisë shtoi se ky është edhe një homazh i denjë për Vlorën, i cili i shërben të gjithë vizitorëve, por veçanërisht atyre shqiptarëve, të cilët vijnë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe diaspora, sepse pasqyrohet si një libër i hapur i personave, të cilët e bënë të mundur shpalljen e Shqipërisë së pavarur.
“Është një park i bukur dhe me këtë punë i kemi vënë një qershi mbi tortë po themi dhe tani ka marrë dhe ngjyra çdo gjë”, përmbylli kryeministri fjalën e tij.
Teksa mjediset, janë tashmë të hapura për të gjithë ata që duan t’i këqyrin nga pranë instalacionet e shumta në park.