Ka përfunduar në mënyrë paqësore protesta e cila ishte organizuar nga Komuna e Junikut ku morën pjesë qindra qytetar të cilët kundërshtuan edhe një herë vendimin dhe veprimin e paligjshme të Komunës së Gjakovës, KRU Gjakova dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifkimit Hapësinor, për marrjen e Lumit Erenik dhe devijimin e rrjedhes natyrale të tij.
Kryetari i Komunës së Junikut, z, Agron Kuçi, në fjalën e tij para qindra junikasëve tha se kundërshton fuqishëm këto degradime të cilat janë duke e shkatërruar lumin Ereniku.
” Ftoj të gjitha institucionet pērgjegjëse të involvuara në këtë rast që të ndërpesin këto punime të cilat janë duke e shkatërruar lumin Ereniku i cili ka rezistuar me miliona vite, mos ta lejojmë shkatërrimin e tij se dikur do të bëhet vonë” është shprehur Kuçi.
Ai i bëri thirrje Kryeministrit të Republikës së Kosovës, njëherit edhe Kryetarit të Këshillit Ndërministror të Ujërave z.Ramush Haradinaj, që sa më parë të shfuqizojë vendimet e paligjshme të MMPH, t’i ndalon të gjitha veprimet e paligjshme të Komunës së Gjakovës dhe KRU Gjakova, të veproj ligjshëm me drejtësi dhe në interesin e përgjithshëm.
Protesta përcolli mesazhin e qytetarëve dhe Komunës së Junikut që në asnjë rast nuk kanë qenë, nuk janë dhe nuk do të jenë që shtëpit e qytetarëve të Rekës e Lugut të mos kenë ujë të pijes një e drejtë njerzore, natyrore e garantuar me çdo normë kushtetuese e ligjore, të cilën qytetarët e Junikut e kanë dëshmuar me shekuj e dekada në robëri e varfëri.
Protesta ka përfunduar e qetë dhe pa ndonjë ekces, shkruan gazetaprojekti.