Përfaqësues të bektashinjve në Turqi e kanë kundërshtuar idenë e kryeministrit Edi Rama për krijimin e “shtetit sovran bektashi” në Shqipëri.
Siç raporton Habel Global, kryetari i Federatës Turke të Alevit, Zeyenl Abidin Koç, ka thënë se nuk e mbështesin një shtet të bazuar në besim, përcjell gazeta online Reporteri.net.
“Si alevi që jetojmë në Turqi, ne vazhdojmë qëndrimin tonë në favor të laicizmit. Bektashizmi është një sistem besimi me origjinë në Turqi. Megjithatë në Shqipëri jetojnë 115 mijë bektashianë, kjo mbulon 5 për qind të popullsisë. Nuk e kuptoj pse një shtet i tillë është i nevojshëm. A është bektashizmi në Turqi i përfshirë në këtë apo është situatë e përgjithshme për Shqipërinë? Ne kurrë nuk e miratojmë një shtet të bazuar në besim”.
Ndërsa, Hüseyin Güzelgül, kryetar i Federatës Alevi Bektashiane, deklaroi se hapat e ndryshëm të ndërmarrë nga shtetet në aspektin e pranimit të besimit alevi bektashi në botë i konsideron përgjithësisht pozitive dhe ndan mendimin se besimi bektashi dhe shteti fetar nuk mund të bashkëjetojnë.
“Ne nuk e shohim të drejtë një shtet të bazuar në fe. Një gjë e tillë nuk mund të ndodhë aty ku ka tolerancë, paqe dhe dashuri”, tha ai