
Janë numëruar votat për kandidatët për deputetë nga 96.05% e vendvotimeve, duke u verifikuar edhe rezultatet preliminare të zgjedhjeve, pa i llogaritur votat me kusht dhe ato të diasporës, shkruan Gazeta Projekti.
Pas numërimit të shumicës së fletëvotimeve, VV është e para me 40.9% të votave, PDK e dyta me 22.29%, LDK e treta me 17.42%, AAK-NISMA e katërta me 7.42%, ndërsa Koalicioni për Familjen nuk e kalon pragun me 2.23%.
Me këto rezultate, VV ka për momentin 47 deputetë, PDK ka 25 sosh, LDK ka 20, ndërsa koalicioni AAK-NISMA ka 8, ku 5 i takojnë AAK-së dhe 3 NISMA-s.
Pas deklaratave të djeshme të kryetarit të NISMA-s, Fatmir Limaj, që është i hapur për koalicion me këdo dhe është i gatshëm për t’i ndihmuar kryeministrit, ka shumë zëra që mund të ketë koalicion.
Një koalicion i mundshëm mes VV dhe NISMA grumbullon për momentin 50 deputetë, ndërsa VV pretendon se me votat e diasporës do të rritet edhe për një osë dy mandate. Këta numra mund t’ia mundësojnë këtij koalicioni eventual krijimin e një qeverie me deputetët nga pakicat joserbe.