
Për të 18-tën herë në Kuvendin e Kosovës, edhe sot ka dështuar konstituimi i përbërjes parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt.
Deputeti Vetëvendosjes Avni Dehari, kryesuesi i Seancës Konstitutive ka ndërprerë sërish seancën e Kuvendit.
Ishin 52 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim.
“Ndërpritet seanca, shihemi me 21 maj në orën 11:00”, tha Dehari.
Para vazhdimit të seancës, partitë edhe sot akuzuan njëra-tjetrën se po e bllokojnë dhe mbajnë peng Kuvendin.
Kujtojmë që seanca për konstituimin e Kuvendit ka dështuar 17 herë.
Lëvizja Vetëvendosje, që doli e para në zgjedhjet e 9 shkurtit, ka propozuar emrin e Albulena Haxhiut për kryetare. Emri i saj nuk po pranohet nga partitë që deri dje ishin në opozitë.
Partitë kanë kërkuar që LVV ta ndryshojë emrin e kandidatit. Ka qenë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që ka propozuar dy emra konkret; Saranda Bogujevcin apo Shqipe Selimin.
Ndryshe, të enjten presidentja, Vjosa Osmani ka mbajtur një takim me liderët e partive, ku takimi ka përfunduar pa rezultate konkrete për dalje nga ngërçi politik.
Subjektet politike, PDK, LDK, AAK kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Haxhiun për këtë pozitë. Ndërsa, LVV ka deklaruar se nuk do ta ndërrojë kandidaten e tyre.
Pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet, pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nuk po siguron votat e mjaftueshme për të zgjedhur Kryetaren e Kuvendit. Kandidatja e propozuar nga LVV për këtë post, Albulena Haxhiu, nuk po arrin të marrë përkrahjen e nevojshme nga deputetët.
Seancat janë duke u mbajtur çdo 48 orë, por asnjëherë nuk është arritur kuorumi apo konsensusi i nevojshëm për të votuar udhëheqësen e legjislativit, çka po e mban të bllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja.