Në vitin 1697, Parlamenti Britanik kishte caktuar 1.2 milionë sterlina në vit për familjen mbretërore, si fond në kohë paqeje, me të cilat ata do të paguanin monarkinë si dhe nëpunësit civilë, (gjykatës e kosto të tjera), ndaj dhe emri “Lista Civile”.
Por mbreti Xhorxh III, që erdhi në fron në vitin 1760, ashtu si dhe paraardhësi i tij, Xhorxh II, nuk arrinte t’i mbulonte të gjitha këto shpenzime, ndaj bëri një marrëveshje me parlamentin.
Marrëveshja ishte që monarkia t’i dorëzonte parlamentit pronat e trashëguara, bashkë me të ardhurat, dhe si këmbim parlamenti do të mbulonte pagesën e Listës Civile. Megjithatë, pronat mbeten edhe sot në emër të monarkisë, edhe pse nuk i menaxhojnë dot.
Prona që përjashtohej e që nuk do t’i jepej parlamentit, por do t’i mbetej familjes mbretërore angleze, ishte Dukati i Lankasterit. Ndërsa Dukati i Kornuollit i mbetej princit të Uellsit.
Lista Civile ndaloi së quajturi e tillë në vitin 2011, kur mori emrin Granti i Sovranit.
Mbreti Xhorxh III nuk paguante dot shpenzimet, ndaj bëri marrëveshje me parlamentin që të dorëzonin pronat mbretërore, bashkë me të ardhurat, e si këmbim të paguheshin nga buxheti i parlamentit.
Por sa i kushton familja mbretërore sot taksapaguesit anglez?
Financimi i drejtpërdrejtë për të mbuluar shpenzimet zyrtare të monarkëve britanikë jepen nëpërmjet “Grantit të Sovranit”, që zëvendësoi “Listën Civile” në vitin 2011. Ky fond rishikohet çdo pesë vite.
Në vitet 2016-2017, Granti i Sovranit ishte rreth 48 milionë euro. Në vitin 2018 shkoi 86 milionë, për shkak të rimobilimit të pallatit Buckingham.
Mbështetësit e monarkisë thonë se kjo pagesë është rreth 1 euro në vit për çdo person në Britani.
Megjithatë, kjo nuk përfshin kostot për sigurinë dhe kujdesin ndaj familjes mbretërore.
Një grup mbështetësish të republikës thonë që shpenzimet për mirëmbajtje shkojnë në rreth 115 milionë euro në vit, me një kosto totale shpenzimi prej 400 milionë eurosh.
Çfarë fitimesh i sjell familja mbretërore buxhetit të taksapaguesve?
Anglia pret rreth 2.7 milionë vizitorë që vijnë vetëm për të parë vendet që kanë lidhje me familjen mbretërore. Sipas llogaritjeve, të ardhurat nga turizmi i lidhur me familjen mbretërore janë rreth 2 miliardë euro në vit.
Veç kësaj, familja mbretërore i shton të ardhurat shtetit duke ndërhyrë si ambasadorë për të lidhur marrëveshje biznesi. Me këtë thuhet se i shtojnë buxhetit rreth 170 milionë euro në vit.
Këto shifra janë shumë herë më të larta se çfarë paguajnë taksapaguesit për të mbajtur familjen mbretërore.
LEXO EDHE: “10 familjet mbretërore më të pasura në Europë”
A mund t’i shpenzojë familja mbretërore paratë sipas dëshirës?
Jo, 48 milionët që merr nga buxheti janë për funksione zyrtare, bamirësi, kopshtari, udhëtime jashtë vendit, etj.
Por mbretëresha, princi Çarls dhe disa anëtarë të tjerë të familjes mbretërore kanë të ardhura të tjera, nga pronat private që nuk ua dorëzuan parlamentit.
Mbretëresha merr rreth 20 milionë euro në vit nga pronat që zotëron në atë që quhet Dukati i Laknasterit.
A paguan taksa familja mbretërore?
Që nga viti 1992, mbretëresha e Anglisë ka ofruar me dëshirën e saj të paguajë taksa mbi të ardhurat private, të cilat nuk përdoren për funksione zyrtare.
Princi Çarls gjithashtu ka paguar taksa mbi të ardhurat për pronën e tij, Dukatin e Kornuollit, që në vitin 1993.
Në vitin 2017, për rreth 25 milionë euro të ardhura ai pagoi rreth 5 milionë euro taksa.