![PDK: Gjykata Kushtetuese mbrojti rendin kushtetues nga ‘puçi qeveritar” i Kryeministrit të shkarkuar Kurti](https://gazetaprojekti.com/wp-content/uploads/2020/03/9880D215-0960-40B7-91AD-174480317CCB.jpeg)
Partia Demokratike e Kosovës mirëpret akgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për ta shpallur kundërkushtetues vendimin e qeverisë Kurti për kufizimin e lirive dhe të drejtave themelore.
Aktgjykimi i sotëm konfirmon ruajtjen e karakterit kushtetues dhe rendit demokratik të shtetit tonë ndaj çfarëdo përpjekjeje dashakeqëse të politikanëve, e fatkeqësisht në këtë rast të një qeverie, për ta marrë në dorë suprimimin e lirive e të drejtave të qytetarëve të Kosovës të cilat garantohen me kushtetutë dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njerëzve që ka miratuar Kosova.
Shqetësimi i ngritur nga PDK ndaj këtij vendimi antikushtutues të qeverisë së shkarkuar Kurti si dhe nga shumë parti, institucione e qytetarë, sot fatmirësisht mori një epilog të drejtë dhe evitoi një precedent të rrezikshëm të Kryeminstrit të shkarkuar Kurti për t’i bërë një “puç qeveritar” rendit kushtetues e ligjor të vendit.
Republika e Kosovës përgjatë këtyre njëzet viteve, megjithë sfidat e mëdhaja përpara, fatmirësisht ka arritur të themeloj institucione profesionale e të pavaruara të cilat kanë gjykuar në mënyrë të paanshme dhe ruajtur karakterin kushtetues të vendit ndaj çfarëdo përpjeje politike për ta cënuar e sulmuar.
PDK kërkon nga qeveria e shkarkuar Kurti dhe aktorët e tjerë ta respektojnë këtë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese.
PDK u bën thirrje qytetarëve të Kosovës të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi dhe ti respektojnë kërkesat e vendimet e institucioneve shëndetësore pavarësisht epilogut përfundimtar që i ka dhënë Gjykata vendimit skandaloz të qeverisë, i cili do të mbahet mend si përpjekja e fundit dashakeqëse për ta cënuar rëndë demokracinë e brishtë të Kosovës.