
Lidhja Demokratike e Kosovës ka thirrur seancë të jashtëzakonshme për korrigjimin e kufijve, e cila do të mbahet nesër, e që është përkrahur edhe nga Lëvizja Vetëvendosje.
Por që kërkesës së LDK-së ende nuk i është përgjigjur PSD-ja.
Ndryshe nga PSD-ja, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë vendosur që të marrin pjesë në seancën e jashtëzakonshme të së mërkurës për korrigjimin e kufijve.
Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, në një prononcim për lajmi.net ka thënë se partia e tij do të marrë pjesë në seancën e nesërme të inicuar nga LDK-ja.
Ai po ashtu ka thënë se PDK-ja në vazhdimësi ka kërkuar që të arrihet një unitet gjithëpërfshirës sa i përket çështjes së dialogut.
“PDK në vazhdimësi ka kërkuar që të arrihet një unitet gjithëpërfshirës sa i përket çështjes së dialogut. Në këtë kuadër edhe Z.Veseli në mënyrë konsistonte ka shprehur unitetin, duke përfshirë edhe një adresim që e ka bërë gjatë kësaj jave ku ka ftuar të gjitha paritë që të ulemi dhe të diskutojmë në Kuvendin e Kosovës për të arritur një pajtueshmëri në lidhje me hapat që duhet ndërmarr me tutje. Në këtë kuadër ne do të jemi pjesë e seancës së nesërme siç kemi qenë edhe në seancat e tjera ku është diskutuar për dialogun dhe shpresojmë që vullneti i shprehur nga opozita të jetë i sinqertë që të mund të arrijmë në konkluzion të përbashkët, i cili do të rezultonte me një rezolutë ose një dokument gjithëpërfshirës, por jo të cunguar që trajton vetëm një çështje, por një dokument që do të mund të paraqiste parimet themeltare që i duhen Kosovës në këtë proces, qëllimet apo pritjet tona prej dialogut dhe po ashtu edhe vijat e kuqe që ndërlidhen me pacenueshmërinë e territorit sovraniteti të kushtetutës”, ka thënë Krasniqi.
Se a do ta votojnë deputetët e PDK-së këtë rezolutë apo jo, Krasniqi ka thënë se kjo varet nga diskutimet që do të bëhen në Kuvend. Por të cilin ai, po ashtu ka thënë se ky propozim është i mangët dhe se duhet që të plotësohet.
“Do të varët shumë nga diskutimet dhe konkludimet, ne sot për sot kemi vetëm një propozim shumë të mangët dhe të cunguar nga ana e iniciuesve të seancës, besojmë që ky duhet të plotësohet nga propozimet që dalin nga diskutimet dhe shpresojmë që të këtë vullnet të qëndrimeve të përbashkëta të partive politike në mënyrë që të ketë një dokument, shpresojmë gjithëpërfshirës dhe që arrihet me shumicën e deputetëve”, ka thënë Krasniqi.
Ndryshe nga PDK, partia në koalicion, AKK-ja ende nuk e ka vendosur nëse do të marrin pjesë në seancën e nesërme.
Kështu ka thënë për lajmi.net, Time Kadrijaj, deputete e AKK-së.
Ajo ka thënë se ende nuk është vendosur nga grupi parlament se a do të marrin pjesë në seance, duke shtuar se opozita po thërret seanca të njëanshme.
“Ne ende nuk kemi një vendim zyrtarë se a do të marrim pjesë në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga LDK-ja, sepse po kërkojnë seanca të njëanshme. Mirëpo qëndrimet e AAK-së po edhe të kryeministrit të Kosovës janë kundër idesë së shkëmbimit të territoreve, apo ndarjes së Kosovës. Këta po kërkojnë njëanshëm me vendos, ju e dini që janë disa rezoluta që po presin në Kuvendin e Kosovës. Ne ende nuk kemi një qëndrim të grupit parlamentarë, ne do të mbajmë një takim si grup parlamentar dhe do të vendosim nëse do të marrim pjesë apo jo”, ka thënë Kadrijaj.
Megjithatë kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë ka folur për seancën e nesërme të thirrur nga opozita.
Haradinaj ka bërë të ditur se nesër do të marrin pjesë në seancë, dhe se beson që do të gjendet një gjuhë e përbashkët nga pozita e opozita rreth kësaj çështje.
Ndërsa, as PSD-ja ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë në këtë seancë.
“Sot, partia Socialdemokrate ka mbledhjen e saj të rregullt të kryesisë, ku përveç tjerash do të diskutohet edhe për këtë çështje”, ka thënë zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi. E.I /Lajmi.net/