![Pas rezultatit të dobët në zgjedhje, Abdixhiku: Ndryshimi në LDK ka nisur](https://gazetaprojekti.com/wp-content/uploads/2021/02/D94A89D4-5B49-4FE1-9E73-D4C013FDB7EC.jpeg)
Kandidati për deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka bërë të ditur se ka fituar sërish votat për tu bërë deputet, teksa ka shtuar se ndryshimi në LDK ka nisur.
Abdixhiku ka falënderuar votuesit e tij përmes një postimi në Facebook, transmeton Telegrafi.
“Tani që rezultatet nga terreni më vijnë, s’kam se si të mos falënderojë sërish, për të tretën herë radhazi e me të njëjtën madhësi, votuesit e mi. Numrin e bëjmë ne. Por kjo ka pak rëndësi. Fare madje. Rezultati për ekip, për LDK-në, pa befasi ishte i rëndë – më i rëndi në histori. Mesazhi ishte i qartë e i zëshëm, ai thërret për reflektim. Kush s’e dëgjon harrohet; dhe këtë s’mund ta kemi më alternativë”, ka shkruar ai.
Abdixhiku tutje ka shkruar “rruga përpara s’është e lehtë, por këtë rrugë LDK ka për ta gjetë.
“Ajo do të jetë rrugë e drejtë, siç na takon për atë që përfaqësojmë. Pa improvizime më; me plot konsistencë. Ndryshimi pas përgjegjësisë ka nisur dhe s’ka gjë që e ndalë atë tashmë.Të njëqind mijë votuesve tanë ju faleminderit. Fituesve të zgjedhjeve urime. Kosovës gëzuar ditëlindjen”, thotë mes tjerash ai.
Vlen të ceket që pas rezultatit të zgjedhjeve parlamentare, ku LDK u radhit partia e tretë, kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka dhënë dorëheqje nga posti i tij.