
Komentatori i njohur i futbollit në Kosovë, Andin Lokaj, që prej se kur njoftoi për largimin e tij nga RTK-ja, ka shpërthyer me statuse në rrjete sociale, duke krahasuar televizionin me një shtet diktatorial si Koreja Veriore e gjithashtu disa herë e ka cekur se aty ku ai ka punuar për pesë vite, mbizotëron amatorizmi.
Gazetari Lokaj njoftimin për largimin nga televizioni publik e dha përmes një statusi në Facebook, menjëherë pas ndeshjes çerekfinale Portugali – Maroku, ku shkroi se emocionet e kësaj ndeshjes ishin të fundit për të si pjesë e RTK-së.
“Këto ishin emocionet e mia të fundit pas pesë vitesh në RTK. Më nuk do të jem pjesë e televizionit publik. Ju dua dhe rrespekte.”
Fillimisht, Andin Lokaj para fillimit të ndeshjes u tall me RTK-në e rrjeteve sociale, ku këta të fundit kishin gabuar në paralajmërimin e ndeshjes, pra në vend të ndeshjes Argjentinë – Kroaci, në reklamë shihej ndeshja Argjentinë – Francë, ku pastaj komentatori i njohur e shoqëroi këtë foto me ish-presidenten Atifete Jahjagan dhe Ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, të cilat njihen në publikun e gjerë për huqje të tilla.
“E di që ka amatorizëm shumë aty ku kam punuar për 5 vjet. Po a është e mundur kjo? Jo bre spo muj me besu.”

Me të përfunduar ndeshja gjysmëfinale mes Argjentinës e Francës, Lokaj shpërtheu edhe më tutje, me krahasime që i bëri televizonit publik me Korenë Veriore.
“E pashë një reklam në TV publik sonte. Një reklam ndërtesat e Kirgistanit dhe penalltia e humbur e Roberto Baggio-s më 1994 kundër Brazilit. Mund t’i kushtojë shtrenjtë kjo menaxhmentit të RTK-së i cili po i ngjan qeverisë së Koresë Veriore”

Krejt në fund Andin Lokaj postoi sërish, dhe sërish përmendi ngjashmërinë e RTK-së me Korenë Veriore, të shoqëruar me një fjali në fund, ku pretendoi se ka ende më shumë për të thënë.
“RTK aktuale dhe Koreja e Veriut kanë shumë ngjashmëri. Mos e rreni dhe mos e tmerroni më popullin. Obligim e kom pas me i thonë këto fjalët e fundit. Nuk hi më thellë, se me hi….”

Kujtojmë se pas një bisede që Gazeta Nacionale pati me Andin Lokajn, ky i fundit la të kuptohet se largimi i tij po vjen si rrjedhojë e nënçmimit dhe shpejt do të përfundojë edhe procedurat administrative për shkëputje të kontratës.
“Këto ditë do t’i përfundoj procedurat administrative për shkëputje të kontratës”, ka thënë ai fillimisht.
“Në një vend ku ndihesh i nënçmuar dhe nuk vlerësohesh, nuk ke çka humb kohë kot”, ka shtuar ai duke refuzuar të jap detaje të tjera.