Fundi i kësaj jave pritet të jetë afati kur partitë politike duhet të përcaktohen nëse duan që në zgjedhje të shkojnë të vetme apo të bashkohen në koalicion.
Deri tash, koalicione parazgjedhore kanë nënshkruar AAK-ja me PSD-në dhe Nisma me AKR-në. Edhe këto parti janë në dsiktuime edhe për koalicione të tjera. Famtir Limaj ka takuar sonte Valon Muratin e LB-së, e kjo parti ka thënë se është në diskutime edhe me PDK-në dhe PSD-në.
Në ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje janë në bisedime të vazhdueshme për mundësinë që në zgjedhjet që është caktuar që të mbahet me 6 tetor të shkojnë me një listë të përbashkët. KTV-ja ka raportuar në Interaktiv për ofertën që partia e Kurtit i ka bërë asaj të Mustafës.
Besnik Bislimi, nënkryetar i Vetëvendosjes, duke folur për takimin që kanë pasur sonte me zyrtarë të lartë të LDK-së ka thënë se kanë edhe tri ditë kohë për të arritur marrëveshjen.
“Si LVV ashtu edhe për LDK ka vetëm një partner strategjik për ndërtimin e qeverisë së ardhshme. Na mbeten edhe tri ditë për të arritur marrëveshjen aq të pritur nga shumica dërrmuese e qytetarëve të vendit”, ka thënë ai.
Të njëjtën e ka thënë edhe Vjosa Osmani, e cila sot nga Kryesia e LDK-së mori nomimin për të qenë kandidate e kësaj partie për kryeministre.
Një burim brenda KQZ-së, i ka thënë portalit Koha.net se ky institucion nesër do të vendosë për planin operativ zgjedhor.
“Mund të jetë 30 gushti. Në rastet e zgjedhjeve të parakohshme KQZ-ja duhet të bëjë një plan operativ, në të cilin duhet të tkurren aktivitetet zgjedhore”, ka thënë ky burim.