970×90
970×90

Parlamenti Studentor i UPZ-së: Letër e hapur drejtuar anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe opinionit të gjerë

Parlamenti Studentor i UPZ-së: Letër e hapur drejtuar anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe opinionit të gjerë

Letër e hapur drejtuar anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe opinionit të gjerë, nga Parlamenti Studentor i Universitetit “Ukshin Hoti në Prizren.

Studentët i kanë përcjellur me shqetësim zhvillimet e fundit në Universitet. Duke filluar nga vendimet e kundërligjshme të përfunduara në Gjykatë, të qenurit lajm i portaleve dhe më skandalozja të qenit vend që pothuajse çdo ditë vizitohet nga Policia. Është e papranueshme dhe e patolerueshme që një Universitet të shndërrohet në një gjendje të tillë nga misionarë të politikës.

Sot jemi në ditën e dytë që Universiteti “Ukshin Hoti” po e kalon pa Rektor e kjo nënkupton që një student i diplomuar sot nuk mund ta marrë diplomën e tij sepse nuk ka kush e nënshkruan atë.

Kujt ja kemi borxh ne studentët këtë gjë? A duhet ne ta paguajmë çmimin e pazareve politike që asesi nuk po arrihen për pozitën e të parit të Universitetit? Nëse dikush mendon se po i themi se e ka shumë gabim.

Kur tashmë e kemi një vendim të Gjykatës për pezullimin e vendimit për zgjedhjen e Rektorit, anëtarët e Këshillit Drejtues duke synuar që të zgjedhin ushtruesin e detyrës së Rektorit në mënyrë të dhunshme, po e shkatërrojnë stabilitetin dhe funksionimin normal të Universitetit. Ne ju bëjmë me dije që kandidatët që janë në process gjyqësor nuk munden asesi të lakohen si emra për ushtrues detyre të pozitës së Rektorit dhe ju lusim t’i leni anash inatet politike dhe ta nxirrni Universitetin nga ky ngërrq sepse studentët janë ata që më së shumti po pësojnë. E po të mos jenë studentët ta dini që nuk do të ishit as JU e nuk do të ishte as Universiteti.

MASHT për shumë kohë ka qeverisur me tendenca të caktuara politike dhe këtë e ka bërë haptas, duke emëruar si anëtarë të Këshillit Drejtues militant partiakë, si në rastin e kryesuesit të Këshillit Drejtues, z. Bedri Muhadri, i cili pothuajse çdo ditë është pjesë e agjendave partiake të partisë që udhëheq me MASHT-in.

Nëse këta misionarë politikë nuk po i ndalon as një vendim i Gjykatës, ju bëjmë me dije që do të jemi ne studentët që që do t’i parandalojmë pazaret politike me Universitetin tonë nëse është nevoja edhe duke i radikalizuar veprimet tona.

Ne do ta mbrojmë atë që është e jona me çdo kusht dhe nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që të përdhoset Universiteti, vetëm pse dikujt i është tekur kjo gjë.

Ju bëjmë thirrje të gjithë studentëve që të na bashkohen në këtë mision të shenjtë për t’i dalë në mbrojte të ardhmes sonë, shkruan Parlamenti Studentor.

Related posts