Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka vlerësuar se mbledhja e mbrëmshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ishte tërësisht e panevojshme për Kosovën.
Në një postim në Facebook, Hoti ka theksuar se u dëshmua se mungesa e bashkërendimit të veprimeve tona me aleatët ka pasoja për Kosovën.
Hoti ka thënë se mbrëmë ishte hera e parë që aleatët kritikuan Kosovën në një diskutim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Ballafaqimi në Këshillin e Sigurimit ishte totalisht i panevojshëm, joproduktiv dhe i dëmshëm për Kosovën. U dëshmua qartësisht se mungesa e bashkërendimit të veprimeve tona me aleatët ka pasoja për Kosovën. Mbrëmë ishte hera e parë që aleatët tanë kryesorë na kritikojnë në një diskutim të Këshillit të Sigurimit.
Kjo qajse e Qeverisë Kurti nuk i shërben integrimit euro-atlantik të Kosovës. Është për keqardhje që veprimet e drejta të Kosovës, të cilat asnjë aleat nuk i konteston në aspektin kushtetues, të na kthehen si bumerang për shkak të politikës së mbrapshtë ku çdo veprim shtetëror i nënshtrohet interesit elektoral momental të partisë në pushtet”, shkruan Hoti.
SHBA-ja mbrëmë kritikoi Kosovën duke thënë se vendimi për dinarin ka qenë i pakonsultuar paraprakisht.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OKB, Linda Thomas-Greenfield tha se Shtetet e Bashkuara mbesin të përshkuara për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor duke përfshirë edhe mbështetjen për Forcën e Kosovës nga NATO-ja në përputhje me mandatin e OKB-së, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Inkurajojmë që t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja që SHBA-ja e mbështet fuqimisht dhe vazhdimisht. Që të jemi të qartë, është dialogu i lehtësuar nga BE-ja e jo i Këshillit të Sigurimit që duhet të jenë kanale për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë edhe zgjidhjet që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Kështu SHBA-ja ka shprehur brengën sa i përket planit të Kosovës për zbatimin e Rregullores së ndryshuar të BQK-së për sa i përket transaksioneve në para të gatshme. Vendimi është marrë pa përgatitje adekuate apo konsultim me popullatën lokale. Edhe një herë bëjmë thirrje për zbatim të këtij plani, por që të shtyhet deri sa të ketë procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane.”, tha ajo.
Thomas-Greenfield tha se këto veprime nuk janë konsistente me zotimin e Kosovës që të punojë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të rregulluar çështje që kanë të bëjnë me mirëqenien e komunitetit serb në Kosovë.
“Si dhe dëmtojnë rrugëtimin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Edhe një herë Këshilli i Sigurimit nuk është vendi ku duhet të zgjidhen këto çështje.”, u shpreh ajo