970×90
970×90
970×90
970×90
970×90

Paralajmërimet për agresion të Serbisë ndaj Kosovës, çfarë duhet të mirret seriozisht?

Paralajmërimet për agresion të Serbisë ndaj Kosovës, çfarë duhet të mirret seriozisht?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ditë më parë ka alarmuar për një një riorganizim të grupit paramilitar dhe terrorist të Millan Radoiçiq, në Rashkë, me mbështetje dhe udhëheqje të shtetit serb.

Kurti ka thënë se, Radoiçiq  së fundmi udhëhoqi një takim me rreth 40 politikanë serbë dhe zyrtarë të komunave ilegale nga Kosova.

“Në mbledhjen e mbajtur në shtëpinë e kulturës në Rashkë, ai kishte pranë Svetllana Milladinov, zëvendësen e Petar Petkoviqit, koordinatorit të të ashtuquajturës zyrë të Serbisë për Kosovë”, ka shkruar Kurti.

Kryeministri ka thënë “aty është kërkuar mobilizim për votim të partisë-shtet në Serbi, SNS, në zgjedhjet e 17 dhjetorit. Ata që janë në listë të rrogave janë kushtëzuar me to, ndërkaq për të tjerë janë ofruar vende pune në periudhë 3 dhe 6 mujore”.

Kryeministri ka shtuar se edhe “pas presionit ndërkombëtar, Serbia ende nuk ka tërhequr të gjitha trupat dhe artilerinë nga afërsia e territorit të Kosovës”.

Kurti ka thënë se Serbia vazhdon të paraqesë kërcënime ndaj sigurisë së Republikës së Kosovës përmes bazave të saj operative të Forcave të Armatosura të Serbisë, të vendosura përgjatë kufirit me Kosovën.

“Ajo vazhdon të kërcënojë sigurinë e Republikës së Kosovës me bazat e përparme operuese të Forcave të Armatosura të Serbisë përgjatë kufirit me vendin tonë. Për më tepër, Serbia ka dislokuar sistemet kundër-ajrore në afërsi të kufirit me Kosovën”, vijon ai.

Sipas Kurtit, kërcënimi nga Rusia dhe Serbia për stabilitetin, paqen dhe sigurinë rajonale është duke u intensifikuar.

“Kërcënimi nga Rusia dhe Serbia për stabilitetin, paqen dhe sigurinë rajonale po vërehet gjithnjë e më shumë. Rusia synon ndezjen e një vatre krize në oborrin e BE-së, për ta defokusuar NATO-n, kurse Serbia përmbushjen e ambicieve territoriale ndaj fqinjëve sipas projektit ‘Bota Serbe’, të Vulinit e të Vuçiqit”, ka theksuar ai.

E gjatë ditës së djeshme Kurti ka shkruar për sistemin raketor të cilin Serbia e posedon aktualisht, transmeton Reporteri.net.

Kryeministri Kurti tutje ka thënë se Serbia është furnizuar me armë kineze.

Një gjë e tillë, kryeministri vlerëson se është haptazi agresion i dhunshëm ndaj Kosovës.

“Sistemi raketor FK-3 (versioni eksportues i HQ-22) është një nga armët kineze të përdorura nga Ushtria Serbe, duke përfshirë edhe dronët CH-92. Kjo e bën Serbinë operatorin e parë dhe të vetëm të armëve kineze në Evropë duke shfaqur hapur agresion të dhunshëm ndaj Kosovës” ka shkruar Kurti në platformën X.

Ndërsa së fundi, edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka deklaruar se Serbia e ka rrethuar Kosovën me 48 baza ushtarake në kufi dhe se “po presin një moment të volitshëm për mësymje” në Kosovë.

Ai  tha se në këto baza, jo shumë larg territorit të Kosovës, janë të dislokuara 3 nga 4 brigadat e këmbësorisë serbe, teksa shtoi se shpërndarja taktike e tyre tregon se po presin momentin e duhur për të kryer një invazion.

“48 bazat të ushtrisë serbe ekzistojnë përgjatë kufirit. Janë në një distancë nga 300 m deri në 5 km brenda kufirit të Serbisë. Ato përbëjnë kërcënim. Bazat janë të drejtuar armiqësisht drejt territorit të Kosovës dhe janë 3 nga 4 brigadat e këmbësorisë serbe të vendosura në jug të Serbisë. Këto janë në një distancë të shkurtër nga Kosova. Këto 3 brigada mbështesin 48 bazat operacionale. Këto lloj bazash vendosen në vende ku pritet një invazion. Këto baza presin një moment të volitshëm për Serbinë për të kryer aksione ushtarake, apo për të mbështetur një sulm si ai i Banjskës. Janë dikur 4000 trupa në këto baza, të pajisura me armatim dhe mjete për sulme ushtarake”, tha Maqedonci.

Kujtojmë se për sigurinë në rajon e më gjerë ka ardhur në vizita Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Stoltenberg tha në Prishtinë më 20 nëntor se aleanca po shqyrton nëse duhet të ketë një shtim të përhershëm të pranisë së saj ushtarake në Kosovë, pas shpërthimit të dhunës në shtator.

“Tani ne po shqyrtojmë nëse duhet të kemi shtim të përhershëm për t’u siguruar që kjo të mos dalë jashtë kontrollit dhe të krijojë ndonjë dhunë në Kosovë, apo në rajonin e gjerë. Ne do të bëjmë atë që është e nevojshme. Aktualisht, ne jemi duke shqyrtuar rregullimet rreth pranisë sonë”, tha ai në një konferencë për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Gjatë vizitës në Prishtinë, e cila është në kuadër të një turi ballkanik, Stoltenberg tha se shtimi i pranisë ushtarake në Kosovë me 1.000 trupa – që përbën vendosjen më të madhe në vitet e fundit të aleancës – tregon se sa seriozisht e merr aleanca dhunën që shpërtheu muajve të fundit në Kosovë.

“Ne, vërtet, po investojmë në sigurinë e këtij rajoni, sepse siguria e njerëzve në këtë rajon, stabiliteti në këtë rajon, ka rëndësi për sigurinë tonë”, tha ai.

Shefi i NATO-s tha se aleanca është duke kryer një shqyrtim të pranisë ushtarake “që përfshin Bosnje dhe Hercegovinën dhe po ashtu Kosovën”.

Related posts