Në Prill parlamenti nis procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri. Që tani kanë nisur të përfliten emrat e parë për kandidatët. Kush do të jetë në krye të institucionit, që Ilir Meta e shndërroi në seli opozitare, pas boshllëkut politik që krijoi djegia e mandateve nga PD-LSI.
Gjasat janë që në krye të shtetit të vendoset një kukull e bindur dhe këta nuk i mungojnë Edi Ramës. Megjithatë duke parë gjendjen ku është katandisur opozita, nuk është çudi që ai t’i shfrytëzojë votimet e para me kandidatura që i përçajnë akoma më shumë klanet e opozitës. Në këtë mënyrë, intriga zgjatet, ndërsa bashkimi i opozitës vonohet. Prandaj në lojë, janë të gjithë emrat e mundshëm.
Gramoz Ruçi
Tërheqja e papritur nga politika pasi fitoi mandatin e deputetit në 25 Prill u shoqërua me pëshpëritjet për një kërcënim me “non grata” për Gramoz Ruçin. Megjithatë diçka e tillë nuk ndodhi. Ruçi ende ruan kontaktet me figurat kryesore të Partisë Socialiste dhe megjithëse pa grada, vazhdon të qëndrojë në prapaskenë të ambicieve politike të PS. Votimi si president do të ishte kurorëzimi i natyrshëm i një karriere të gjatë politike, aq të gjatë sa mund të jetë problem në vetvete. Gramoz Ruçi ka qenë edhe ministri i fundit i brendshëm i diktaturës së proletariatit.
Valentina Leskaj
Që Edi Ramës i duhet një grua për të kamufluar një marionetë, kjo është tashmë një histori e njohur. Jo më kot, në qeveri ka aq shumë gra. Jo më kot, të gjitha shohin tek ai një Skënderbe, një Zeus apo një prijës të pagabueshëm që i dominon vetëm me shikim. Valentina Leskaj ka mbajtur postin e kryetares së grupit parlamentar të Partisë Socialiste. I shkon për shtat një prezencë ceremoniale boshe dhe ç’është më e rëndësishmja, di të heshtë. Edhe pas mënjanimit që i bëri Rama nga partia dhe pushteti, ajo asnjëherë nuk i është dorëzuar vanitetit dhe të ketë pëshpëritur një fjalë më shumë, por ka ruajtur inercinë e rreshtit.
Pandeli Majko
Ndoshta ka ardhur koha që Pandeli Majko të ketë një arsye të qenësishme për të qeshur nga Edi Rama. Të qeshurat pa shkak me kryetarin e çuan në një rrugë pa krye. Rama ia preu në mes karrierën politike dhe Majko e priti kokëulur goditjen. Asnjë ankesë, asnjë kundërshtim, asnjë nismë politike, vetëm heshtje. Ndoshta i pajtuar me faktin se pushteti i Edi Ramës shkon përtej fuqisë politike të Pandeli Majkos. Ndoshta duke parë fatin e atyre që kundërshtuan dhe e pësuan. Në të njëjtën kohë, duke provuar se për kaq vite në politikë ka qenë i mbivlerësuar. Të gjitha këto, janë pikë në favor të kandidimit të tij si president, megjithëse vetë Rama duket se e ka humbur kiminë e dikurshme me Majkon.
Mimi Kodheli
Për faktin se është grua, niset disa hapa para kandidatëve të tjerë, por kur vjen puna te Mimi Kodheli duhet patur parasysh se ishte në listën e të ndëshkuarve para 25 Prillit. Jo vetëm kaq, por natyra impulsive në reagime e penalizon ish-Ministren e Mbrojtjes për të marrë një post, që kërkon maturi, qetësi dhe seriozitet. Jo më kot, ajo ka zbritur disa shkallë në renditjen e preferencave të Ramës, megjithëse ka qenë një ndër bashkëpuntoret e hershme dhe ndër prurjet e para në Partinë Socialiste. Më shumë se një kandidaturë reale, Kodheli do të përflitet si presidente e ardhshme, thjesht për numër.
Ilir Meta
Që e kishte menduar një mandat të dytë si president, këtë e pranoi në një intervistë për ATV, por tha se pas humbjes së opozitës në 25 Prill, e shtyu për 20 vjet si opsion. Rizgjedhja e Ilir Metës nga socialistët për një mandat të dytë në krye të presidencës duket zgjedhja më pak logjike, pas konfliktit konstant presdencë-qeveri. Por në anën tjetër, kjo do të ishte mënyra e vetme për ta parandaluar bashkëpunimin Berisha-Meta në fushatë. Koalicioni u ngjiz për 6 Mars. Pa Metën në krah, Berisha ia doli të fitojë i vetëm një bashki duke nxjerrë jashtë loje Lulzim Bashën. Çfarë do të ndodhë nesër kur Berisha-Meta të jenë të dy bashkë në fushatë?
Lulzim Basha
I dorëhequri i pak ditëve më parë mund t’i shërbejë Ramës si pjesë e fasadës se sistemi funksionon. Sado qesharake të duket, vetë Basha e shpërndau thashethemin se i ishte premtuar një post në krye të shtetit, para se të jepte doreheqjen si kryetar i PD. Duket si një nga gënjeshtrat më të dëshpëruara që ka thënë ndonjëherë, megjithatë Basha ende ruan kontrollin e selisë, vulës dhe logos së Partisë Demokratike nëpërmjet të besuarve të tij dhe ka ende çfarë t’i ofrojë Edi Ramës, megjithëse kuotat politike i kanë shkuar në fund. Një nga “dhuratat” ishte mbajtja e ngrirë e Partisë Demokratike, pa kryetar, deri pas zgjedhjeve lokale, një ofertë që do të joshte çdo kundërshtar politik./ lapsi