Zhvillimet e fundit në vend, konkretisht marrëveshja e nënshkruar në Uashington mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim amerikan, vazhdimi i dialogut në Bruksel si dhe tema për zgjedhjen e presidentit të vendit ka ndikuar që mes LDK-së dhe AAK-së të lëkunden themelet e koalicionit. Presidentit aktual të Kosovës, Hashim Thaçit pritet që mandati t’i skadojë në mars të vitit të ardhshëm, e për ta zënë karrigen e tij, tani po synon kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Por për LDK-në, për postin e Presidentit është herët të flitet, ndërsa kanë thënë se kjo nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes për bashkëqeverisje. Nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj në një bisedë për Periskopin thotë se zgjedhja e Haradinajt president i vendit është e nevojshme sidomos në zhvillimet politike veçanërisht në raport me definimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Tutje, Lekaj i arsyeton dorëheqjet e Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës me thirrjet e bëra nga Dhoma e Specializuar në Hagë.
‘’Konstelacionet politike dhe zhvillimet që na presin mbi definimin e marrëdhënieve tona me Serbinë por edhe në raport me miqtë tonë, e bëjnë Ramush Haradinaj, jo vetëm adekuat, por edhe shumë të nevojshëm të jetë në krye të presidencës sipas radhës së zgjedhjes së presidentit. Si Kryeministër ke një dyzinë njerëzish e disa koncepte të partnerëve për rreth e me të cilët duhet të shtysh përpara agjenda, e të cilën Haradinaj e ka bërë deri në momentin sa nuk ka patur zhvillime siç edhe kanë ndodhur. Ju e dini që në të dyja herët nuk është se ka dhënë dorëheqje vetëm se është zgjuar në një mëngjes dhe iu është tekë. Por sepse ka patur ftesa (ndoshta edhe si formë presioni për ndonjë lëshim) nga Haga, kemi të bëjmë këtu dy herë në vitin 2005 dhe 2010 e poashtu edhe në vitin 2019. Pra e shihni që muri i fortë goditet më së shumti derisa nuk thyhet’’.
Në anën tjetër, Lekaj thotë se LDK ka mjaftë përfshirje si në qeveri ashtu edhe në dialog, kështu duke ua bërë me dije se kësaj partie duhet t’i mjaftojnë pozita e kryeministrit, kryetarit të Kuvendit dhe koordinatorit për dialog. Sipas tij, AAK-së, në njëfarë forme i takon posti i presidentit.
‘’Ne me LDK-në jemi në bashkëqeverisje, pra LDK e ka Kryeministrin dhe poashtu një anëtare e tyre është kryekuvendare, poashtu e kanë dhe koordinatorin për dialog, pra i kanë të gjithë mekanizmat dhe mundësitë të përfshihen thellë në dialogun përfundimtar, dhe ju e dini sa befasia ka rrjedh nëpër vite në këto negociata për çështje të ndryshme e të cilat nuk kanë qenë aspak të këndshme për çka është dashtë të organizohet brenda vendit që ato zhvillime të mos jetësohen. Pra sot, ne nuk po i themi asgjë tjetër partnerëve të koalicionit dhe të gjitha partive parlamentare, veçse, ne dëshirojmë dhe duhet që Haradinaj, si njeri të dëshmuar që para interesit nacional e shtetëror nuk e nxjerrë asnjë lloji justifikimi, të jetë në presidencë nga momenti kur ajo zyre të mbetet pa presidentin Thaçi’’, tha Lekaj.
Nënkryetari i AAK-së, ka komentuar edhe përplasjet e Hotit me ministrin e Drejtësisë Selim Selimi dhe ministren e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla gjatë qëndrimit në Washington.
‘’Ne gjuhën politike e të argumenteve tona nuk e kemi kundër askujt, ne vetëm po synojmë që sot të jemi më vigjilent e më këmbëngulës që nesër mos të jemi të befasuar për të keq. Kjo gjuhë e këto argumente, kur ka qenë në pyetje Serbia, Aleanca e ka patur të njëjtën vigjilencë e sy hapje që 20 vjet. Sepse nuk i besojmë Serbisë e aleatëve të saj, nuk ka këtu të bëjë asgjë me LDK-në si partner, me Avdullah Hotin si kryeministër dhe me asnjë tjetër, pra ne thjeshtë po “alertojmë” me kohë për rreziqet e dialogut dhe nga cila rrugë s’duhet dhe s’mund t’i bijmë. Ne me Amerikën si aleat dhe me të gjithë aleatët tjerë të brendshëm e të jashtëm jemi në rregull dhe falënderues për ndihmën dhe bashkëpunimin në këtë fazë finale të dialogut Kosovë – Serbi. ’’
Ai ka komentuar edhe nisjen e mocionit nga Lëvizja Vetëvendosje për shkarkimin e Qeverisë Hoti. Lekaj thotë se LVV nuk do ta ketë përkrahjen e AAK-së për mbledhjen e nënshkrimeve meqenëse sipas tij, nuk ka asnjë arsye që të ngritët mocion tani për tani kundër qeverisë.
‘’Po ne jemi në Qeveri me partnerët dhe në baze të një marrëveshje. Aleanca nuk njihet në asnjë rrethanë se i shkel marrëveshjet dhe besimin e ndërsjelltë. Ne nuk kemi asgjë me LDK dhe partnerët tjerë përsa i takon qeverisjes, të gjithë ministrat janë në krye të detyrës dhe s’ka arsye të ketë mocion tani për tani. Por ne s’kemi pajtim në disa çështje që po shihen si tendencë e anashkalimit të njerëzve të Aleancës, dhe ose të Aleancës si tërësi nga procesi i dialogut, pa çka pastaj në të ardhmen mund të ketë pasoja politike, juridike e ekonomike për vendin. Me një rikapitulim, pra po bëhet fjalë për dy anë të qeverisë, politika e jashtme dhe dialogu me Serbinë, për të cilën nuk është se kemi ende një linjë të dakordimit, dhe temat e përditshme që qeveria ka në Kosovë, për çka jemi në rregull’’, përfundon Pal Lekaj.