
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se dje nuk ka nënshkruar asgjë në Ohër sepse “Kosova nuk është shtet i njohur ndërkombëtarisht ligjërisht” me të cilin, sipas tij, ai mund të nënshkruajë marrëveshje ndërkombëtare. Ai ka thënë se vija të kuqe për Serbinë janë njohja e pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe se vetëm deri në ato vija të kuqe Serbia mund të punojë në zbatimin e asaj që është rënë dakord, përcjell Gazeta Express.
Sipas tij, marrëveshja e arritur “nuk është e vështirë”, pasi tha se “do të ketë gjëra shumë më të vështira për ne në të ardhmen”. Ai lexoi gjithë aneksin e zbatimit që u negociua dje.
“Nuk kam nënshkruar sepse Serbia është një vend i njohur ndërkombëtarisht dhe Kosova nuk është për mua. Dhe nuk dua të bëj marrëveshje juridike ndërkombëtare me Republikën e Kosovës”, tha Vuçiq në një konferencë për media.
Siç raporton Danas, Vuçiq tha se vijat e kuqe për Serbinë janë njohja e Kosovës si shtet i pavarur dhe anëtarësimi i Kosovës në OKB.
“Unë them se do t’i zbatojmë shumicën e gjërave, por nuk do të zbatoj asgjë për sa i përket OKB-së, as për njohjen de facto dhe de jure të Kosovës”, tha Vuçiq.
Por ai e përmendi Asociacionin si pjesë “shumë e rëndësishme” e aneksit.
Në tekstin e Aneksit të Implementimit të propozimit europian, është treguar se si do të ndëshkohet Serbia në rast se për fajin e saj do të pengohet normalizimi i raporteve me Kosovën.
Siç tregon Aneksi, Komisioni Europian në përputhje me pikën 25 të kornizës së negociatave, me iniciativën e tij apo të 1/3 të shteteve anëtare mund të propozojë të rekomandojë mos hapjen ose mbylljen e kapitujve të tjerë të negociatave për anëtarësim e Serbisë në BE.