970×90
970×90

Pacolli nuk ndalet shkon në Bukuresht dhe lobon për Kosovën

Pacolli nuk ndalet shkon në Bukuresht dhe lobon për Kosovën


Në kuadër të vizitës në Rumani dhe pjesëmarrjes në takimin joformal të organizuar nga Rumania si kryesuese e Presidencës së radhës së Këshillit të BE-së, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli, është takuar me ministrin e jashtëm të Polonisë, Jacek Czaputowicz, ministrin e jashtëm të Çekisë Tomas Petricek, dhe ministrin e  jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajcak.

Gjatë takimit me kryediplomatin polak, ministri i jashtëm, Pacolli, është siguruar për përkrahjen e këtij shteti në të gjitha proceset integruese ndërkombëtare të vendit tonë si dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Më pas është shfaqur interesim mbi mbarëvajtjen e procesit të dialogut në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, përderisa diplomati polak ka kërkuar rishqyrtimin e taksës së vendosur ndaj Serbisë.

Samiti Procesit të Berlinit, i cili sivjet do të mbahet në Poloni ka qenë temë tjetër e diskutimit në mes dy bashkëbiseduesve, ku u theksua se Polonia mbetet e përkushtuar për procesin e zgjerimit edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe do ta ndihmojë atë në përafrimin me BE-në.

Ministri Pacolli ka takuar edhe ministrin e jashtëm të Çekisë, Tomas Petricek.

Në kuadër të këtij takimi dypalësh, ministri çek ka shprehur mbështetjen e Çekisë në të gjitha proceset e rëndësishme të integrimit ndërkombëtarë të Kosovës.

Po ashtu, në këtë takim është diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik me theks të veçantë në krijimin e kushteve për investitorët çek në Kosovë.

Gjithashtu është bërë me dije se po punohet edhe në përcaktimin e një date për vizitën e ministrit Pacolli në Pragë, me qëllim të thellimit të bashkëpunimit në mes të dy vendeve.

Gjatë qëndrimit në Bukuresht ministri Pacolli është takuar edhe me ministrin e jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajcak.

Ministri Lajcak ka shprehur interesimin e shtetit sllovak për stabilitetin në Ballkan dhe mbështetjen e dialogut në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, ndërsa ka bërë me dije se së shpejti do ta vizitojë vendin tonë, si kryesues i radhës i OSBE-së.

Sipas kryediplomatit Lajcak, Sllovakia nuk e kundërshton procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, ndërkohë që është shprehur interesimi i këtij shteti për thellimin e bashkëpunimit dhe diskutimit të mundësive për hapjen e Zyrës Përfaqësuese të vendit tonë në Bratislavë.

Në margjina të takimit joformal, të organizuar nga shteti i Rumanisë, ministri Pacolli ka takuar edhe homologun e tij slloven, Miro Cerar, përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, dhe komisionerin për Zgjerim të BE-së, Johannes Hahn.

Gjatë takimit me ministrin e Sllovenisë është biseduar për mbështetjen e Republikës së Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave, marrëdhëniet dy palëshe dhe mbështetjen e tyre në proceset e tjera integruese euroatlantike.

Ndërsa me Mogherini dhe Hahni, Pacolli ka folur për procesin e dialogut mbi normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Ai ka kërkuar  që dialogu të vazhdojë pavarësisht masës së vendosur nga Qeveria e Kosovës.

Zyrtarët e BE-së kanë thënë se dialogu patjetër duhet të vazhdojë dhe se do të bëjnë përpjekje për ta rifilluar këtë proces.

Related posts