Deputeti i Kuvendit nga radhët e AKR’së, Behgjet Pacolli është shprehur kundër rrëzimit të qeverisë dhe ka kërkuar që të ruhen raportet me ShBA’të.
Këto qëndrime i bërë të ditura në një editorial dërguar Gazetës Express.
Editoriali i plotë:
Po më duket se politika jonë e brendshme rreth politikës së jashtme po sillet e po pështillet në boshllëk, pa kuptim rreth disa temave. Ja pse:
1) Marrëveshja e Uashingtonit mund të ishte më e mirë:
a) Po, nëse do e kishim degjuar në kohë Presidentin Trump me letrën e tij te dhjetorit 2018 dhe miqtë amerikanë në vijimësi.. Do të kishim më shumë kohë për negociata dhe kritikët e çdo stine nuk do mund të thonin se kjo marrëveshje po firmoset me ngut për fushatën zgjedhore amerikane;
b)Po, nëse nuk do i ishim shmangur ftesave amerikane duke thënë – S’dua presidentin në negociata; s’dua Hotin,s’duam Trumpin se është në fushatë; etj .
c) Po, nëse do ishim bashkë si politikë e Kosovës ( madje dhe me Shqipërinë) për të formuluar një platformë bisedimesh për çdo temë;
Vetë jemi vonuar, vetë kemi qenë ekskluzivistë, vetë jemi përçarë e tash për këtë nuk na e ka fajin Amerika.
2) Po flasim për temën e njohjes reciproke- mirpo përplasja reale është për listën e pretendimeve ekonomike apo të tjera të fqinjit tonë verior. Serbia e di se ka perënduar koha e saj në Kosovë dhe nuk mund të na kthejë në asnjë formë federative me të apo nuk mund të coptojë territorin tonë si u dëshmua së fundmi. Lista e pretendimeve të saj është shumë e gjatë dhe duhet të jemi të përgatitur në mënyrë realiste për listën tonë dhe adresimin e atyre serbe.
3) Po flasim për gjoja suspendim të politikës së jashtme me pikën e marrëveshjes për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Ka një shpjegim tjetër përveç atij të kryeministrit Hoti. Beteja jonë reale- hyrja në OKB, prej ku burojnë anëtarësimet e tjera, e ndërlidhur me marrëveshjen përfundimtare shtyhet një vit. Këtë na e kërkon aleati ynë, SHBA, pa mbështetjen e cilit s’mund të anëtarësohemi askund në rrafsh global. Mirpo ne nuk jemi zotuar të ndalim lobimin për njohje individuale shtetesh, madje Presidenti Trump na e dhuroi njohjen e Izraelit. Për mua që jam marrë me lobim, e di se fotoja e kryeministrit tonë në Zyrën Ovale, letra e Presidentit Trump për këtë njohje janë fushata më e mirë e jona për njohje ndërkombëtare. Ndërkohë me këtë Marrëveshje, është Serbia ajo që është detyruar të ndalet për çnjohje sot, të duartrokasë marrëdhëniet izraelito-kosovare; të krijojë probleme me botën arabe, me Kinën apo dhe me Rusinë. Ndërkohë duhet të dimë se moratoriumi njëvjeçar është I imponuar dhe për shkak të pandemisë: nuk do të zhvillohen aktivitete shumëpalëshe ku është e detyrueshme prania fizike dhe ku ka votim, duke filluar nga Interpol-i këtë vit.
4) Shumë zhurmë po bëhet për Ujmanin, mirpo kushdo e di se dhe shtete nderluftuese bëjnë marreveshje për administrimin e burimeve ujore ndërkufitare. Dikur bënte- sa për shembull dhe Shqipëria me Jugosllavinë për Liqenin e Kukësit që përmbyste toka në territor të Kosovës.
5) Serbia ja ka arritur të fitojë selinë e një organizate financiare amerikane në territorin e vet, ama ne duhet të pergatitemi për projekte infrastrukturore të kryeshme, përfshirë dhe portet në Shqipëri, për të cilin fliste dikur dhe ministri I Integrimit në qeverinë Kurti. Duhet të degjojmë me vëmendje dhe argumentat e ish Presidentit Berisha per rëndësinë strategjike të porteve të Shqipërisë, prej të cilave fitojmë ne si komb.
6) Flitet për të ashtuquajturin Minishengen dhe rreziqet e tij. Po, nëse politika shqiptare është e përçarë apo Kosova me Shqipërinë bëjnë sherre, përfiton Serbia. Perndryshe, nëse jemi bashkë si komb, ne shqiptarët jemi përfituesit kryesorë.
7) me kujdes kur përdorim retorikë që prek miqtë amerikanë. Ata nuk janë parti politike kosovare që t’I qortojmë si shoqi shoqin. Të paktën të ruajmë mirënjohjen për çlirimtarët, nunët e pavarësisë sonë- kjo do ishte gjëja më e mirë.
Për të gjithë keto tema që duhet t’i adresojmë në kohë pandemie, lipset të jemi bashkë dhe jo të rrëzojmë qeveri.