Dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë ka sjell progres dhe rezultate pozitive, por është koha që të flasim për marrëveshje përfundimtare, e cila do të jetë në të mirë të të dyja vendeve. Kështu ka thënë në adresimin e tij zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, në sesionin e Samitit të Londrës, që është pjesë e “Procesit të Berlinit”.
Siç njofton Ministria e Punëve të Jashtme, kryediplomati kosovar ka prezantuar prioritetet dhe të arriturat e Qeverisë së Kosovës, ndërsa ka vlerësuar lartë kontributin që ka dhënë iniciativa e vendeve të Ballkanit Perëndimor tani më e njohur si “Procesi i Berlinit” në përshpejtimin e krijimit të kushteve infrastrukturore për zhvillim ekonomik si dhe në paqësimin e mëtutjeshëm të rajonit përmes bashkëpunimit konstruktiv.
Në margjina të Samitit të Londrës, numri dy i qeverisë ka zhvilluar takime të shumta më përfaqësues të niveleve të larta nga shtete të ndryshme, që po marrin pjesë në këtë ngjarje.