
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook ka njoftuar se është takuar sot me Kryeministrin e Çekisë, Petr Fiala.
Osmani tha se në këtë takim është diskutuar rreth çështjes së liberalizimit të vizve.
“Me Kryeministrin e Çekisë, z.Petr Fiala, diskutova rreth urgjencës së përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave gjatë presidencës çeke të Këshillit të BE-së. Ky vendim i vonuar për më shumë se 4 vite, shpresojmë të merret pikërisht në Çeki, vendin simbol të lirisë, i cili gjithnjë qëndroi në përkrahje të popullit të Kosovës”, shkroi Osmani.
Po ashtu, Osmani ka thënë se është diskutuar edhe rreth anarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Anëtarësimi në Këshillin e Evropës, në Partneritetin për Paqe të NATO-s dhe thellimi i raporteve bilaterale ishin ndër temat e tjera që diskutuam. E falenderoj Kryeministrin Fiala për përkrahjen e vazhdueshme të Çekisë ndaj Kosovës”, përfundoi Osmani.