
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se qytetarët e Kosovës duhet të llogarisin gjithnjë në përkrahjen e Shqipërisë në çdo rrugëtim.
Këto komente, e para e vendit i ka bërë përmes një postimi në platformën X, pas takimit që ka pasur me Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, i cili është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Kosovë, ku edhe i ka uruar mirëseardhje.
“Kur jemi përkrah njëri-tjetrit, nuk ka sfidë që nuk tejkalohet dhe nuk ka rezultat që nuk mund të arrihet me sukses”, ka shkruar Osmani.
Në takim me ministrin Hasani, Presidentja ka theksuar se Kosova ka nevojë edhe më tej për mbështetjen e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, sidomos në organizatat në të cilat nuk është e përfaqësuar.
“Përtej lidhjes historike e partneritetit strategjik, Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë synime të përbashkëta dhe strategji të harmonizuara në interes të dy shteteve”, ka theksuar deklaruar ajo, njofton Presidenca përmes një komunikate për media.
Osmani më tej ka potencuar se forcimi i shtetit të Kosovës dhe konsolidimi i pozicionit ndërkombëtar është synim i vazhdueshëm, i cili ka nevojë edhe për mbështetjen e Shqipërisë.
“Pozita e Kosovës në arenën ndërkombëtare ka nevojë për kontribut të vazhdueshëm të politikës së jashtme të Shqipërisë”, është shprehur ajo, duke theksuar se për Kosovën, Shqipëria është jo vetëm një partner strategjik, por edhe shtet me të cilin ka lidhje vëllazërore, kulturore e kombëtare.
Në këtë kontekst, Presidentja dhe ministri Hasani diskutuan edhe për koordinimin për çështjen e njohjeve të reja, përfshirjen në Partneritetin për Paqe si një hap paraprirës i anëtarësimit në NATO, por edhe në organizata të tjera ndërkombëtare.
Në raport me zhvillimet e fundit me situatën politike dhe të sigurisë, Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës janë te përkushtuara për koordinim dhe bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar dhe vendet mike të rajonit në adresimin e sfidave të sigurisë.
Sipas saj, zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës dhe veprimet armiqësore të Serbisë dhe lidershipit të saj, kërkojnë angazhim dhe vëmendje të shtuar të faktorit ndërkombëtar por edhe të vendeve të rajonit në funksion të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit.
Kryediplomati shqiptar, Igli Hasani, tha se siguria dhe stabiliteti i rajonit është më i kërcënuar se kurrë më parë.
Këtë deklaratë ai e bëri në Prishtinë pas takimit me kryediplomaten e Kosovës, Donika Gërvalla.
Ai tha se autorët, organizatorët dhe nxitësit e sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë sa më parë.
Hasani shtoi duke shtuar se kjo është domosdoshmëri për të parandaluar një përshkallëzim të mëtejmë.
“Rajoni është duke kaluar një moment delikat, që pavarësisht progresit, siguria dhe stabiliteti janë më të kërcënuara sesa në çdo moment tjetër gjatë dekadës së fundit. Ne kemi dënuar ashpër sulmin e dhunshëm, të orkestruar dhe të armatosur kundër Policisë së Kosovës në veri të vendit. Ky sulm ishte një akt kriminal dhe i rrezikshëm terrorist kundër stabilitetit, integritetit, pavarësisë ligjit dhe rendit të Kosovës. Sulmi ishte një kërcënim i rëndë për sigurinë e stabilitetit e të gjithë rajonit tonë me pasoja të drejtpërdrejta për Europën tonë të përbashkët. Autorët, organizatorët dhe nxitësit e këtij akti duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë sa më parë. Kjo është e domosdoshme për të mos lejuar një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës me pasoja ndoshta të pakthyeshme. Prandaj, tani më shumë se kurrë është e nevojshme që të gjithë ato vende, ato forca që besojnë te pasja e stabiliteti, te bashkëpunimi e integrimi euroatlantik të punojnë se bashku për të ardhmen e rajonit tonë dhe të mirën e qytetarëve tonë”, u shpreh ai.
“I ndjekim me vëmendje zhvillimet në rajon, dhe në kufijtë e Republikës së Kosovës. Bëjmë thirrje gjithë aktorëve dhe faktorëve që jetojnë në shekullin 21, nuk i çohen ushtri fqinjit më te kufiri, dhe askush s’duhet të vazhdojë më këtë lojën që është qesharake. Sepse të gjithë jemi qartë se garancia më e madhe për sovranitetin dhe integritetin e Republikës Kosovës është NATO ku edhe Shqipëria është pjesë”, është shprehur Hasani