970×90
970×90
970×90
970×90

Osmani: Serbia shkeli në mënyrë flagrante Marrëveshjen e Ohrit, aleatët të rrisin presionin

Osmani: Serbia shkeli në mënyrë flagrante Marrëveshjen e Ohrit, aleatët të rrisin presionin

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani shpreson se aleatët dhe miqtë e Kosovës do të sigurohen që t’i bëjnë presion Serbisë, në mënyrë që ajo t’i respektojë obligimet nga marrëveshjet e arritura. Këto komente ajo I bëri gjatë vizitës që po zhvillon në Maqedoninë e Veriut.

Osmani po ashtu tha se ndërmjetësit e Bashkimit Evropian duhet të kujdesen që ajo që “Serbia dakordohet ta bëjë, në fakt edhe të zbatohet”.

Ajo po ashtu tregoi edhe ajo se çfarë mund të pritet nga takimi i 2 majit, mes Kosovës dhe Serbisë.

“Siç e dimë neni katër i kësaj marrëveshje parasheh që Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Sjellja e tyre të hënën në Këshillin e Evropës, por edhe lobimi i tyre kundër votimit pro Kosovës, e ka dëshmuar këtë shkelje flagrante dhe natyrisht edhe ndërhyrja e tyre e paligjshme në zgjedhjet në Kosovë, është shkelje edhe e nenit dy të kësaj marrëveshje…pra, pak a shumë kjo tregon se çfarë parashikimi mund të kemi për sjellje të Serbisë. Megjithatë unë shpresoj shumë se miqtë dhe aleatët tanë do të sigurohen që të bisedojmë gjatë kësaj periudhe, të bëjnë presion mbi Serbinë, në mënyrë që edhe ajo të respektojë obligimet që janë marrë nga ky proces”, theksoi ajo.

Presidentja Osmani shtoi se në takimin e 2 majit, Kosova do të jetë konstruktive dhe e hapur, duke e mbrojtur sovranitetin e vendit, funksionalitetin e brendshëm të shtetit, por edhe duke kontribuar në zgjidhje që i kontribuojnë pastaj paqes dhe stabilitetit afatgjatë.

Bashkimi Evropian gjatë ditës së djeshme i është shmangur pyetjes së Gazetës Online Reporteri.net nëse Serbia ka shkelur pikën 4 të Marrëveshjes së Ohrit, ku thuhet se ky shtet nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, teksa kanë treguar vetëm rolin e vendeve anëtare të Këshillit të Evropës.

Një zëdhënëse e Bashkimit Evropian, në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net,  ka thënë se votimi është në dorë të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës.

“Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës votoi dje pro dërgimit të aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në Asamblenë e saj Parlamentare (APKE). Këtë e vendosin anëtarët e Këshillit të Evropës. Këshilli i Evropës luan një rol qendror në promovimin e vlerave themelore evropiane dhe standardeve të përbashkëta, duke përfshirë të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e pakicave”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

Related posts