Platforma e propozuar nga kryetari i Kuvendit, njëherësh lideri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli nuk do t’i bëjë bashkë partitë politike në arritjen e një konsensusi të mundshëm.
Dy nga partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se propozimi i Veselit për të krijuar unitet është dëshmi e pafuqisë së koalicionit qeverisës për t’u marrë me tema të mëdha.
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se tani duhet të diskutohet për datën e zgjedhjeve të parakohshme e assesi për tema të cilat ka dështuar t’i çojë përpara kjo Qeveri.
“Ky dokument i propozuar vërteton pafuqinë e koalicionit për t’i çuar përpara këto tema të mëdha dhe rrjedhimisht unë pres që këto të diskutohen të mërkurën në tryezë. Tryeza e së mërkurës i ka dy qëllime. E para është që të diskutojmë për krizën institucionale në të cilën ndodhet vendi, t’i listojmë temat e rëndësishme për vendin për të cilat duhet të ndërtojmë konsensus nacional dhe e treta të ndërtojmë modalitetet për adresimin e këtyre sfidave përfshirë edhe adresimin e zgjedhjeve të lira”, ka thënë Hoti.
Në Vetëvendosje kanë thënë se e kanë bërë të qartë prej kohësh qëndrimin e tyre për temat të cilat janë listuar në propozimin e kryetarit të PDK-së.
Anëtarja e kryesisë së Vetëvendosjes, Tinka Kurti, ka thënë se platforma e propozuar nga Veseli ka vetëm një qëllim, sajimin e një grupit të unitetit.
“Qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje është shprehur moti, gjerë e gjatë për temat që i përmend Veseli. Për dallim prej tij, ne nuk i japim prioritet dialogut me Serbinë dhe kërkesave të saj për ‘Zajednicë’ duke e lënë ushtrinë e Kosovës si të tretën për nga renditja. Mbi të gjitha, ne i japim prioritet zhvillimit ekonomik për prodhim e punësim dhe drejtësisë kundër krimit e korrupsionit. Duket qe letra e Veselit ka për qëllim kryesor që një presidenti kontravers si Thaçi t’ia sajojë përreth një ekip uniteti. Kjo është gabim, e dëm për Kosovën”, ka thënë Kurti.
Përkundër kësaj që ka thënë opozita, partia në pushtet, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka ftuar partitë opozitare që të përkrahin platformën e Veselit.
Deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka thënë se për tema të mëdha, gjithmonë është i nevojshëm konsensusi.
“Aleanca sigurisht se do të jetë pjesë e negociatave, përpjekjeve dhe aktiviteteve që të arrihet një konsensus për temat e interesit nacional, që janë përmendur edhe në platformën e Veselit dhe që janë pesë syresh. Këto janë tema të interesit nacional. Opozita nuk ka përgjegjësi vetëm të kundërshtojë nismat e Qeverisë, por opozita duhet të jetë pjesë e aktiviteteve që çojnë në realizimin e temave, çështjeve, materieve që janë të interesit nacional”, është shprehur Nitaj.
Përmes propozimit të tij, Veseli ka kërkuar arritjen e një konsensusi mes partive politike për temat të rëndësishme, siç është dialogu me Serbinë, themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, themelimi i Ushtrisë së Kosovës, agjenda e integrimeve evropiane dhe Reforma Zgjedhore.
Këtë platformë, Veseli ua ka dërguar liderëve politikë, përmes së cilës u bënë thirrje atyre për krijimin e një ekipi të përbashkët me pjesëmarrje edhe të shoqërisë civile. (Rel)