Të paktën pesë superjahte të miliarderëve rusë u panë të mërkurën duke lundruar për në Maldive, ishujt e Oqeanit Indian që nuk ka ndonjë traktat ekstradimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton prestigjiozja Reuters.
Mbërritja e anijeve pranë brigjeve të Sri Lankës pason me vendosjen e sanksioneve të ashpra perëndimore ndaj Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë që filloi më 24 shkurt, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Sipas bazës së të dhënave të transportit, MarineTraffic, superjahti “Clio,” në pronësi të Oleg Deripaska, themeluesit të fabrikës gjigante të aluminit Rusal, i cili u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2018, u zhvendos në Male, kryeqytetin e Maldiveve, të mërkurën.
Po ashtu, edhe “The Titan,” në pronësi të Alexander Abramov, një bashkëthemelues i fabrikës së prodhuesit të çelikut Evraz, mbërriti në po të njëjtin lokacion më 28 shkurt, përcjell në shqip Gazeta Online Reporteri.net, raportimin e Reuters.
Këto të dhëna po ashtu tregojnë se tre jahte të tjera në pronësi të miliarderëve rusë u panë duke lundruar në ujërat e Maldiveve të mërkurën. Këtu përfshihen jahti “Nirvana,” me gjatësi 88 metra (288 ft) në pronësi të njeriut më të pasur në Rusi, Vladimir Potanin.
Shumica e anijeve u panë të zhvendosura për herë të fundit në portet e Lindjes së Mesme në fillim të vitit. Një zëdhënës i qeverisë së Maldiveve nuk pranoi të deklarohej në lidhje me këtë çështje.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar se do të ndërmerren veprime edhe më të rrepta për të sekuestruar pronat e rusëve të sanksionuar.
“Javën e ardhshme, ne do të nisim një task forcë shumëpalëshe Transatlantike për të identifikuar, gjuajtur dhe ngrirë asetet e kompanive dhe oligarkëve rusë të sanksionuar – jahtet e tyre, pallatet e tyre dhe çdo përfitim tjetër të paligjshëm që mund të gjejmë”, njoftoi Shtëpia e Bardhë në një postim në Twitter të dielën.
Kujtojmë se Uashingtoni vendosi sanksione ndaj Oleg Deripaskës dhe rusëve të tjerë me ndikim në vitin 2018 për shkak të lidhjeve të tyre me Presidentin Vladimir Putin pas ndërhyrjes së dyshuar ruse në zgjedhjet e SHBA-së të vitit 2016, gjë të cilën Moska ende e mohon.