
Sulmi i gjatë disa muaj i forcave ruse ndaj qytezës lindore ukrainase, Bakhmut, mund të jetë duke ngecur përballë një rezistence të ashpër, sipas ekspertëve ushtarakë amerikanë, ukrainas e britanikë.
Forcat ruse kryen një varg sulmesh ajrore në pjesët veriore e jugore të Ukrainës, përderisa presidenti rus, Vladimir Putin, u përshëndet me homologun kinez, Xi Jinping, të mërkurën, pas vizitës dyditore të udhëheqësit të Kinës në Moskë, raporton gazeta “The Guardian”.
Bakhmuti është zona e betejës më vdekjeprurëse mes forcave të këmbësorisë që nga Lufta e Dytë Botërore. Instituti për Studimin e Luftës, organizatë amerikane, tha në përditësimin më të ri se ritmi i operacioneve ruse përreth Bakhmutit “duket se është duke u ngadalësuar mes raportimeve perëndimore se forcat ruse mund të jenë duke u përpjekur që të nisin ofensiva në drejtime të tjera”.
“Forcat ruse tash për tash janë duke e ngritur ritmin e operacioneve të tyre të ofensivës përreth Avdivka-s me qëllim të rrethimit të vendbanimit dhe është e mundshme që forcat ruse po veprojnë kështu në kurriz të operacioneve të tyre përreth Bakhmutit dhe ofensivës së ngecur përreth Vuhledarit”- tha instituti amerikan.
Inteligjenca ushtarake britanike beson se sulmi i Rusisë ndaj kësaj qyteze mund të jetë duke e humbur fuqinë. Megjithatë, ende ekziston rreziku që garnizoni ukrainas në Bakhmut mund të rrethohet, tha Ministria e Mbrojtjes e Britanisë të mërkurën.
Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase pranoi se potenciali i Rusisë për ofensivë në Bakhmut është duke rënë.
Bakhmuti është bërë objektiv kyç për Moskën, e cila e sheh qytezën si portë drejt kompletimit të pushtimit të rajonit lindor ukrainas, Donbas.