
Gjenevë, 16 dhjetor (Reuters) – Evropianët që do të festojnë Kërshëndellat me familjarë dhe miq janë këshilluar që këtë ta bëjnë në ambiente të hapura ose në rastin tjetër, të bartin maska në ambiente të mbyllura, por të ajrosura mirë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka publikuar udhëzimet të mërkurën, dy javë para festave të fundvitit. Me këto udhëzime mbulohen një seri e problemeve me të cilat janë përballur evropianët për pushimet dimërore, përfshirë edhe mëdyshjet nëse duhet të shkojnë për skijim dhe festat sezonale.
Duke përmendur se njerëzit duan të bëhen bashkë për të reflektuar pas vitit të vështirë me pandeminë, OBSH-ja u ka bërë thirrje evropianëve që të reduktojnë numrin e njerëzve brenda shtëpive dhe në tubimet fetare. Nëse këto tubime mbahen në ambient të hapur, OBSH-ja ka rekomanduar respektimin e masës së distancës fizike dhe bartjes së maskës.