![Nuk vendosën maskat, Policia e Kosovës shqiptoi mbi 23 mijë gjoba për një javë](https://gazetaprojekti.com/wp-content/uploads/2021/08/E06508DA-9167-4118-8CEB-0C10812BE253.jpeg)
Janë bërë një javë që kur Qeveria e Kosovës mori vendim për vendosjen e masave të reja antiCOVID-19.
E në kuadër të inspektimeve për respektim të këtyre masave Policia e Kosovës nuk po kursen ata që po i shkelin vendimet e Qeverisë.
Vetëm brenda 24 orëve të fundit, policia ka shqiptuar 2223 gjoba në bazë të Ligjit COVID-19.
Prej 30 gushtit kur edhe kanë hyrë në fuqi masat e reja antiCOVID, e deri më sot nga Policia e Kosovës janë shqiptuar 23 mijë e 063 gjoba.
Më 30 gusht u shqiptuan 728 gjoba, më 31 gusht ishin 2.479, 1 shtator-3.981 gjoba, 2 shtator-4.263, 3 shtator-4.237, 4 shtator-2.794, 5 shtator-2.358.
Në bazë të Ligjit COVID-19 kapitullit V për masat ndëshkimore, neni 24 thuhet se: “1. Personi juridik i cili nuk e respekton vendimin e Organit kompetent për kufizimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve në kohën e caktuar, dënohen me gjobë prej pesëqind (500) euro;
2. Drejtuesi i mjetit motorik i cili nuk e respekton vendimin e Organit Kompetent për kufizimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve sipas orarit të përcaktuar, dënohet me gjobë prej dyqind (200) euro.
3. Personi fizik i cili nuk e respekton Vendimin e Organit Kompetent për kufizimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve sipas orarit të caktuar, dënohet me gjobë prej dyqind (200) euro.
4. Personi juridik i cili nuk e zbaton vendimin e Organit Kompetent për krijimin e kushteve dhe mbajtjen e distancës së përcaktuar në hapësirat në të cilat janë përgjegjës dënohen me gjobë prej pesëqind (500) euro, ndërsa personi përgjegjës i personit juridik dënohet me gjobë prej dyqind (200) euro.
5. Personi fizik i cili nuk respekton vendimin e Organit Kompetent për mbajtjen e maskës, dënohet me gjobë prej tridhjetepesë (35) euro.
6. Personi fizik i cili nuk respekton vendimin e Organit Kompetent për mbajtjen e distancës fizike, dënohet me gjobë prej tridhjetepesë (35) euro”.